Rend dhe Ligj

Trafik droge drejt Maqedonisë së Veriut me 58 kg kanabis, mes të arrestuarve edhe punonjësja e AKSHI-t

Gazeta Si - Tre persona, mes tyre një punonjëse e administratës publike, janë arrestuar orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje në Korçë në një operacion antidrogë.

Policia thotë se ka sekuestruar 58 kg kanabis të fshehur në bagazhin e një automjeti që po udhëtonte drejt Maqedonisë së Veriut.

Mes të arrestuarve, është edhe 28-vjeçarja Erisa Fero, e cila drejtonte automjetin me drogë. Ajo është punonjëse e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) në kryeministri.

Në fakt, e reja ka pasur edhe më herët telashe me drejtësinë shqiptare.

Vitin e kaluar ajo është kallëzuar nga KQZ bashkë me 20 komisionerë të tjerë, pasi ishte anëtare e PS në një komision të numërimit të votave në KZAZ, ku dyshohet se rezultati i votave ishte falsifikuar.

20 komisionerët, mes të cilëve edhe 28-vjeçarja Fero akuzoheshin se kishin hequr apo shtuar votat në kuti për kandidatët e partive të ndryshme.

Dy bashkëpunëtorët e saj ta ndaluar, janë shtetasit, 32-vjeçari Likë Basha dhe një adoleshent nga Kruja.

Policia njoftoi se kishte arrestuar të tre personat në zonën e Qafë Thanës, pasi më herët kishte marrë informacione për planin e trafikut në rrugë operative.

I pari që ra në pranga është 32-vjeçari Basha i cili në momentin e ndërhyrjes pranë zonës së Linit në Pogradec ka qenë pranë makinës tip “Volkswagen”, ku pas kontrollit në bagazh u gjet edhe sasia e lëndës narkotike, e cila ishte e ndarë në 51 pako, të shënuara me pikë dhe kryq blu.

Për shkak të shenjave, hetuesit dyshojnë se kanabisi kishte dy blerës dhe informacionet janë se lënda është kultivuar në Shkodër.

Policia tha zyrtarisht se tre të arrestuarit kishin detyrë transportin e mallit nga Tirana në Qafë Thanë dhe më pas, ajo do merrej nga dy persona të tjerë të shpallur tashmë në kërkim: F.S., 30 vjeç dhe G.S., 28 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë