Rend dhe Ligj

Arrestohet për mashtrim ish-drejtoresha, si i mori ryshfet 344 mijë euro qytetarëve për projekte nga AZHBR-ja

Gazeta Si – Viola Sterjo, ish-drejtoreshë e Mjedisit në Bashkinë e Tiranës dhe më herët pjesë e administratës së AKSHI-t, është arrestuar në Korçë me akuzën e mashtrimit të 344 mijë eurove, në dyshimin se ndikonte në tenderët e institucioneve shtetërore përmes ryshfetit.

Punonjësja e administratës publike, mashtronte qytetarët, duke i premtuar grante nga AZHBR-ja (Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural) në këmbim të mijëra eurove.

Ajo akuzohet për përvetësimin e shumave të mëdha nga subjektet tregtare, ndërsa arrestimi i saj u bë nga policia në ekzekutim të vendimit të nxjerrë nga gjykata.

Sterjo, 39-vjeçe, arriti të mashtrojë 4 biznese në Korçë dhe Pogradec, duke shfrytëzuar pozitën e saj dhe njohjet në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, për të dalë garant tek subjektet se do të fitonin projekte nga AZHBR, me vlera financimi nga 1 milion, deri në 4 milionë euro. 

Në 12 dhjetor 2022, në Prokurorinë e Korçës ka bërë kallëzim një qytetar nga Korça, i cili kishte një pronë në Voskopojë, ku donte të ndërtonte një hotel.

Ai përmes një të njohuri, kishte takuar Viola Sterjon, punonjesë e AKSH-it në atë kohë, e cila i kishte premtuar se do të ndërhynte tek AZHBR për të përfituar një grant. Fillimisht denoncuesi i ka dhënë Sterjos 57 mijë euro dhe 1.000.000 lekë.

Një qytetar nga Pogradeci gjithashtu ka bërë denoncim se i ka dhënë Viola Sterjos shuma të ndryshme, 9 mijë euro si fillim dhe më pas 28 mijë euro për të ndërhyrë tek AZHBR që të përfitonte një grant prej 1.2 milionë eurosh për të ndërtuar një bujtinë.

Një tjetër qytetar nga Korça, sipas Prokurorisë së Korcës, i ka dhënë Sterjos 160.000 euro, pasi ajo i ka premtuar një grant prej 2.2 milionë eurosh.

Pas disa muajsh, denoncuesi, i cili nuk e kishte përfituar grantin, i ka kërkuar Sterjos t’ja kthente shumën e lekëve. Por ajo i kishte thënë, se granti nga 2.2 milionë euro do të shkonte në 4.5 milionë euro.

Një tjetër qytetari nga Korça, i cili së bashku me dy ortakë do ndërtonte një resort në Voskopojë, Sterjo i ka marrë 90 mijë euro, duke e mashtruar se kishte bërë aplikim tek AZHBR për ndërtimin e resortit me vlerë 2 milion euro.

Nga shuma prej 90 mijë euro, Sterjo i ka kthyer denoncuesit 20 mijë euro, pasi ky i fundit ishte informuar se në emër të tij nuk ishte bërë asnjë aplikim për të përfituar financim.

Me kontratë noteriale, Sterjo i njihte detyrimin prej 90 mijë euro dhe nese nuk ia kthente brenda 6 muajsh, do t’i linte si garanci banesën e vjehrrit të saj.

Ndalimi i saj u bë pasi, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë