Gazeta Si – Ibrahim El Salih (Lekica), 56-vjeç nga Kukësi, u dërgua në gjyq nga SPAK me akuzën e nxitjes së terrorizmit.
Sipas hetimeve, ai akuzohet se ka nxitur luftën e shenjtë përmes postimeve në rrjetet sociale. Prokuroria e akuzon të pandehurin edhe për nxitje të veprimeve terroriste.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, 56-vjeçari akuzohet se nga data 22 shtator 2021 e në vijim nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, ka kryer transkriptimin dhe përkthimin e videove nga gjuha e huaj (arabe) në atë shqipe, duke përhapur elementë të konsiderueshëm të deformimit të koncepteve fetare, të propagandës ekstremiste dhe nxitëse të urrejtjes.
Prokuroria thekson se nëpërmjet postimit të përmbajtjes së shkrimeve nga ana e të pandehurit, manifestohen thirrje dhe propagandë për të përkrahur luftën e shenjtë “xhihadin”.
Në postimet e tij, sipas SPAK, i pandehuri është solidarizuar me personat e vrarë në këtë luftë, me legjitimimin e krijimit të të ashtuquajturit Shteti Islam i Irakut dhe udhëheqësit e tyre, duke u solidarizuar me fitoren e këtyre luftëtarëve.
Ai akuzohet më tej se ka mbështetur personat e burgosur të cilët kryejnë vepra penale dhe akte terroriste kundër disa shteteve perëndimore.
Bazuar në shkrimet e publikuara në rrjetet sociale, sipas SPAK, Ibrahim El Salih ka përkrahur mobilizimin e fëmijëve në akte të dhunshme, si dhe ka synuar nxitjen dhe ka bërë thirrje publike për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.