Gazeta Si – ‘Deri në janar kemi kohë për të zgjedhur trajnerin e ri të Kombëtares dhe stafin e tij. Italian? Më shumë mundësi ka jo’, – ka thënë presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Ai ka pasur kontakte për pasuesin e Edi Rejës, që këtë herë duket se nuk do të vijë nga Italia.
Po ashtu, trajneri i ri i kuqezinjve nuk do të jetë shqiptar, pavarësisht se është përmendur emri i Ilir Dajës. Rrethi duket se është ngushtuar dhe kreu i FSHF-së ka pohuar se janë tre kandidatët kryesorë për t’u ulur në stolin e Kombëtares.

Duka nuk ka përmendur emra, por ka pranuar se një kandidat serioz është Esteban Kambiaso, argjentinasi që ka luajtur për Real Madrid dhe Interin, por pa eksperiencë si trajner. Zgjedhja e tij e mundshme në një moment kur Shqipëria synon kualifikimin në Euro 2024, do të ishte një eksperiment.
Reinaldo Rueda është një tjetër kandidat. Bëhet falë për një kolumbian 65-vjeçar, me shumë më shumë përvojë se Kambiaso. Ai ka shkuar në Botëror me Hondurasin dhe Ekuadorin, ndërkohë që ka drejtuar edhe Kilin dhe Kolumbinë. Falë CV-së që ka, mund të konsiderohet një kandidat potencial për të marrë drejtimin e kuqezinjve.
Braziliani Silvinjo dhe italianët Di Biaxho, Odo dhe Kamoleze janë emra të tjerë që kanë qarkulluar kohët e fundit, por me kuota më të ulëta. Presidenti Duka këtë herë duket se ka hequr dorë nga ‘dashuria’ italiane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




