Lajme

Vrasja e Kacifas, Veliu pret delegacionin e policisë greke

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ka pritur në një takim ditën e sotme një delegacion të policisë greke.

Gjatë takimit përfaqësuesit e dy policive shkëmbyen informacion mbi operacionin ku mbeti i vrarë minoritari Kostandinos Kacifas në një shkëmbim zjarri me forcat speciale RENEA në  Bularat.

Por policia, nuk jep detaje më shumë mbi çfarë u diskutua, teksa thuhet, se gjatë takimit u diskutua edhe mbi forcimin e bashkëpunimit mes dy policive në të ardhmen.

35-vjeçari Kacifas mbeti i vrarë më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës, gjatë festës së përvitshme në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Shqipërisë.

Fillimisht Kacifas qëlloi me armë zjarri ndaj policisë, ndërsa më tej kur uniformat blu u vunë në ndjekje, ai nuk i ndali të shtënat drejt mjeteve të policisë.

Kështu pas disa orësh ndjekje, 35-vjeçari u rrethua, por edhe nga aty nuk i ndali të shtënat. Kjo bëri që gjatë shkëmbimit të zjarrit të mbetet i vrarë, duke refuzuar që të dorëzohet, sipas versionit të policisë shqiptare.

Vrasja e 35-vjeçarit ka ndezur polemika të shumta, deri në replika mes politikanëve të të dyja shteteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë