Ekonomi

Ekonomia globale po fillon ngadalësimin e rritjes së normave të interesit

Bankat qendrore më të mëdha të botës do të hyjnë në një fazë të re me rritje më të vogla të normave të interesit, pasi inflacioni po bie nga piku i tij.

Por, të frikësuar nga fakti se inflacioni në SHBA, Europë dhe Mbretërinë e Bashkuar vazhdon të mbetet mbi objektivin, politikëbërësit monetarë sinjalizojnë se po planifikojnë të vazhdojnë me rritjen e normave për ta rikthyer inflacionin në nivelet ku ishte përpara pandemisë.

Dhe, megjithëse rritjet e pritshme të normave këtë javë prej 0.5% në këto tre rajone janë më të vogla se rritjet e fundit prej 0.75%, ato do të mbeten më të larta se rritjet që ndërmerreshin nga bankat qendrore të SHBA, Europës dhe Mbretërisë së Bashkuar përpara inflacionit të këtij viti.

Silvia Ardagna, kryeekonomistja për Europën në Barclays Bank, tha: “Inflacioni po ngadalësohet dhe ritmi i rritjes së normave është më i vogël, por bankat qendrore do të vazhdojnë t’i rrisin ato me shuma më të mëdha se niveli historik prej 0.25 pikë për qind me të cilin jemi mësuar.”

Shifra e inflacionit në SHBA pritet të tregojë një ngadalësim të tij në 7.3 për qind për muajin nëntor, krahasuar me nivelin 7.7 për qind të muajit të kaluar dhe akoma më pak se niveli i qershorit prej 9.1 për qind.

 Në Mbretërinë e Bashkuar, të dhënat pritet të tregojnë ngadalësimin e inflacionit total të IÇK në 10.9 për qind për muajin nëntor, krahasar me nivelin më të lartë në 41 vjet që u arrit gjatë muajit të kaluar (prej 11.1 për qind).

Jennifer McKeown, kryeekonomistja globale në Capital Economics, tha se megjithëse inflacioni ka të ngjarë të jetë “shumë më i ulët” gjatë vitit të ardhshëm, kishte pikëpyetje të mëdha lidhur me faktin nëse presionet e çmimeve do të zbuten duke arritur objektivat e bankave qendrore në rreth 2 për qind.

Në eurozonë, inflacioni bazë – i cili nuk përfshin ndryshimet në çmimin e energjisë, të ushqimeve dhe të duhanit – mbeti në nivelin më të lartë historik prej 5 për qind në muajin nëntor. Në SHBA, norma bazë u ul me vetëm 0.3 pikë përqindjeje duke shkuar në 6.3 për qind në muajin nëntor, nga niveli më i lartë në 40 vite që u arrit muajin e kaluar.

Nathan Sheets, kryeekonomisti global në Citi, tha se inflacioni i vazhdueshëm në sektorin e shërbimeve, i kombinuar me rritjet e qëndrueshme dhe më të ngadalta të normave të interesit dhe me recesionin e vazhdueshëm, do të jetë “lajmi i keq për vitin e ardhshëm”.

Shtrëngimet monetare do të përbëjnë gjithnjë e më shumë një sfidë komunikimi për bankierët qendrorë, në një kohë kur ekonomitë në të dyja anët e Atlantikut tkurren, pjesërisht edhe për shkak të rritjes së paprecedentë të normave të interesit nga bankat qendrore gjatë vitit 2022.

Burimi: Financial Times/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë