Gazeta Si – Armando Broja e ka mbyllur sezonin. Frika pas dëmtimit në miqësoren me Aston Vilën është konfirmuar nga rezultatet e analizave, që kanë sjellë lajme të këqija për sulmuesin dhe tifozët kuqezi.
Broja ka këputur ligamentin e gjurit dhe duhet të kryejë ndërhyrje kirurgjikale. Lajmi është konfirmuar nga klubi i Çelsit, që ka inkurajuar futbollistin në këtë moment të vështirë. Pas operacionit sulmuesit të ri do t‘i duhet kohë e gjatë për rikuperimin, kështu që këtë sezon ai nuk mund të luajë më.

Vetë Broja ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku i falënderon të gjithë për mbështetjen, ndërsa shpreh bindjen se do të kthehet më i fortë. “Është vetëm një pengesë në rrugën e gjatë drejt majës. Jam i vendosur dhe i bindur se do të kthehem edhe më i fortë. Ju falënderoj të gjithëve për mesazhet që më keni dërguar. E vlerësoj shumë”, – shkruan Broja në postim.
Kombëtares shqiptare do t’i duhet kështu të bëjë pa lojtarin e saj më të mirë në ndeshjet e para të vitit të ardhshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




