Katar 2022

Ajri i kondicionuar i prish punë Francës, dy titullarë në dyshim ndaj Marokut

Gazeta Si – Për shkak të një ftohjeje nga ajri i kondicionuar, dy nga lojtarët titullarë të Francës, mesfushori Adrien Rabiot dhe mbrojtësi Dajot Upamekano, janë në dyshim për ndeshjen e mbrëmjes, gjysmëfinalen me Marokun.

Vendimi përfundimtar do të merret në momentet e fundit para ndeshjes nga trajneri Didier Deshamp dhe stafi mjekësor i kampionëve të botës. Nëse këta dy lojtarë nuk ia dalin, do të jetë pak problem për Francën. Zëvendësuesit e tyre do të jenë Ibrahima Konate’ dhe Jusuf Fofana.

Rabiot feston golin ndaj Australise. Gazeta Si, 14 dhjetor 2022

Ajri i kondicionuar është thuajse në çdo ambient në Katar, nga stadiumet te sallat e konferencave për shtyp, nga hotelet te palestrat, duke vënë në rrezik shëndetin e sportistëve, të cilët janë ankuar vazhdimisht për këtë problem.

Rabiot dhe Upamekano kanë qenë dy nga lojtarët më në formë të Francës dhe mungesa e tyre e mundshme në gjysmëfinale do të ishte vërtet një minus i madh për ‘gjelat’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë