Katar 2022

Maroku blen biletat e pashitura dhe ua dhuron tifozëve, priten 50 mijë ndaj Francës

Gazeta Si – Më shumë se 10 mijë bileta gratis. Në Marok prej ditësh flitet vetëm për futbollin dhe Botërorin. Tani e gjithë vëmendja është te sfida me Francën në stadiumin ‘Al Bayt’, që pritet të pushtohet nga tifozët marokenë. Ata duan të ndihmojnë beniaminët e tyre për të mposhtur Mbape me shokë.

Dhe këto 10 mijë bileta janë dhuruar nga Fedarata Marokene e Futbollit, në koordinim me FIFA-n dhe komitetin organizativ të Botërorit. Janë bileta të pashitura, që tashmë u janë ofruar tifozëve. Në stadium pritet të jenë sot rreth 50 mijë marokenë.

Maroku feston nje gol ne Boteror. Gazeta Si, 14 dhjetor 2022

“Kemi blerë biletat e mbetura pa shitur dhe ua kemi shpërndarë tifozëve tanë”, – ka bërë me dije presidenti i federatës marokene, Fouzi Lekja, entuziast si kurrë më parë.

Shumë tifozë kanë shfrytëzuar edhe uljet e kompanive ajrore për fluturimet drejt Dohas. Ministri i Transporteve kërkoi rreth 30 fluturime më shumë Kazablanka-Doha për të ndihmuar popullin mariken të shkojë në Katar për të mbështetur skuadrën.

Por ‘Royal Air Maroc’ ka anuluar papritur sot në mëngjes fluturimet drejt Dohas dhe 50000 tifozët që priteshin në gjysmëfinalen me Francën janë në dyshim. “Për shkak të masave shtrënguese të qeverisë së Katarit, ‘Royal Air Maroc’ njofton me keqardhje klientët për anulimin e fluturimeve”, – shkruhet në njoftimin e kompanisë, sipas ‘Reuters’. Rreth 10 fluturime nga 30 që u kërkuan, janë bërë që dje për në Katar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë