Katar 2022

Mesi thyen të tjera rekorde: E donim finalen, ky grup është i çmendur

Gazeta Si – Argjentina është në finale të Botërorit dhe meritën kryesore për këtë e ka Lionel Mesi. Një gol me penallti dhe një asist ndaj Kroacisë, por edhe disa lojëra të stilit të tij.

Sulmuesi, pas ndeshjes me Kroacinë, u shpreh: “Për gjithë Kupën e Botës, e gjitha ajo që kemi përjetuar ka qenë e pabesueshme. Kemi shkuar deri në ndeshjen e fundit, është ajo që donim. Jam argëtuar që kur ka nisur Botërori, edhe pse e nisëm me humbje.

Kemi besim dhe duam që tifozët të kenë besim te ne. E dimë ku jemi, ky grup është i çmendur. Edhe një herë tjetër Argjentina është në një finale botërore, duhet ta shijoni gjithë këtë”.

Mesi shenon me penallti ndaj Kroacise. Gazeta Si, 13 dhjetor 2022

Për finalen e së dielës, Mesi ka theksuar: “E dinim se do të shkonim aty. Nuk ishim kandidatët kryesorë, por nuk do t’i dhuronim asgjë askujt. Gjithçka kemi bërë ishte merita jonë, ndeshje pas ndeshjeje. Detajet ndryshojnë lojën. Do të bëjmë më të mirën në finale për ta fituar atë. Tani të shijojmë këtë moment të rëndësishëm”.

Në ndeshjen me Kroacinë Mesi ka arritur të tjera rekorde. Me 11 gola ai ka kaluar Gabriel Omar Batistutën si shënuesin më të mirë argjentinas në Botërorë. Po ashtu, me 25 ndeshje në Botërorë ai ka barazuar gjermanin Lotar Mateus si lojtarin me më shumë ndeshje në historinë e kompeticionit.

Kapiteni argjentinas është bërë lojtari i parë që shënon dhe jepo asist në 4 ndeshje të një Botërori. Mesi ka marrë pjesë në 19 gola Botërori (11 gola dhe 8 asiste), duke barazuar numrin më të mirë gol+asist për një lojtar që nga 1966-a, të vendosur nga Miroslav Klose, Ronaldo dhe Gerd Myler.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë