Katar 2022

Rrënjët afrikane, për Mbape dhe 12 të tjerë do jetë një derbi ndaj Marokut

Gazeta Si – Janë 13 lojtarë francezë, të cilët do të luajnë kundër Marokut dhe në një farë mënyre kundër rrënjëve të tyre afrikane. Thuajse të 13 franko-afrikanët e Didier Deshamp kanë lindur dhe janë rritur në Francë, thuajse të gjithë ama janë krenarë për origjinën e tyre.

Mbape dhe Tçouameni, dy nga pikat me te forta te Frances. Gazeta Si, 13 dhjetor 2022

Shumë prej tyre ruajnë zakonet dhe traditat, gatimin, muzikën e gjëra të tjera, por janë francezë dhe ndihen francezë. Të mërkurën do të këndojnë ‘Marsigliese’. Baza multietnike e kombëtares franceze nuk është më lajm, është diçka natyrale tashmë, edhe pse ka ndonjë nuancë racizmi.

Lojtarët janë të lumtur për të qenit francezë. Dhe në Botërorët e kaluar e kanë refuzuar emërtimin ‘Franca afrikane’. Franca dhe kaq.

Gjysmëfinalja e së mërkurës ka edhe anën tjetër pastaj: disa lojtarë të Marokut kanë lindur në vende të tjera. Portieri Bono ka lindur në Kanada, në Montreal. Kedira në Itali, në Loreto, disa në Holandë e kështu me radhë.

Gjithsesi, është interesant fakti që Maroku, kombëtarja e parë afrikane në një gjysmëfinale të Kupës së Botës, përplaset me Francën ‘afrikane’. “Kjo gjysmëfinale botërore, – ka thënë Xhei Xhei Okoça, ish-lojtar i shquar nigerian, – ngjan si një Kupë Afrike”.

Okoça me Nigerine ne nje ndeshje ndaj Danimarkes. Gazeta Si, 13 dhjetor 2022

Kombëtarja franceze multietnike vjen nga larg. Raul Diagne është lojtari i parë me ngjyrë që ka luajrur për Francën, në vitet ’30. Ai ishte nga Guyana franceze, një nga territoret që ishin koloni e Francës. Në territoret e shpërndara nëpër oqeane kanë origjinë të largët 4 lojtarë të Deshamp: Varane, Areola, Koman dhe Markus Turam.

Në Francë vlerësohet se jetojnë 4 milionë qytetarë franko-afrikanë, por shifra mund të jetë në ulje kohët e fundit. Sipas analistëve, 40% e popullatës franceze në 3 gjeneratat e fundit, – një periudhë gati gjysmë shekulli, – ka një ose më shumë komponentë që lidhen me Afrikën. Fenomeni shpjegohet me emigrimin e ish-kolonive franceze në Afrikë.

Franca ndër shekuj ka drejtuar një perandori pa kufij mes Azisë, Afrikës dhe Amerikës. Lista e vendeve afrikane frankofone, ku ende flitet frëngjisht, është e gjatë: Kamerun, Bregu i Fildishtë, Mali, Algjeri, Tunizi e Marok. Rreth 150 milionë afrikanë flasin, kuptojnë ose shkruajnë frëngjisht. Në 900-ën Maroku ishte një protektoriat francez, u bë shtet autonom në 1956-ën.

Në Algjeri, lufta për pavarësinë nga francezët zgjati nga 1954-a në 1962-shin dhe u kushtoi jetën 30 mijë personave. Modernizimi e spostoi cështjen në fushën ekonomike dhe Maroku sot është vendi, ku Franca bën investimet më të mëdha.

Kilian Mbape, sulmuesi i Frances. Gazeta Si, 13 dhjetor 2022

Kilian Mbape e ka babanë nga Kameruni dhe nënën algjeriane. “Jam krenar për origjinën afrikane. Një nga modelet e mia është Xhorxh Ueah”, – ka thënë Mbape, i cili mund të luante për Kamerunin ose Algjerinë, por zgjodhi Francën, vendin ku ka jetuar gjithmonë. Emanuel Makron, president i Francës, e ka përfshirë në shumë iniciativa.

Kameruni tentoi të bindte Aurelien Tçouamenin në 2021-shin, kur ai luante për Monakonë, por lojtari refuzoi. “E kam për zemër flamurin francez”, – tha ai në atë kohë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë