Katar 2022

Makron në Katar për të mbështetur kampionët e botës, polemika në Francë

Gazeta Si – Presidenti francez, Emanuel Makron, do të jetë në Doha për të mbështetur ‘Blutë’ në gjysmëfinalen ndaj Marokut. Prania e tij është konfirmuar, ndërsa opozita kishte kërkuar nga kreu i shtetit që të mos shkonte në vendin ku po luhet Kupa e Botës, për shkak të qasjes politike.

“Bëhet fjalë për të mbështetur skuadrën në një moment të rëndësishëm të sportit francez dhe miqësisë franko-marokene”, – ka bërë me dije një këshilltar i presidencës. “Është e rëndësishme për presidentin të jetë aty, të mbështesë lojtarët e kombëtares”, – ka shtuar ai më tej.

Makron takohet me lojtarët Francës. Gazeta Si, 13 dhjetor 2022

Makron kishte thënë që në fillim të turneut se do të shkonte në Katar, nëse Franca shkonte në gjysmëfinale apo finale. Dhe ky vendim i tij u shoqërua me polemika, duke pasur parasysh çështjet e kushteve që kanë pasur punëtorët emigrantë gjatë punimeve për ndërtimin e stadiumeve dhe të grave e minorancave në Katar.

Presidenti më pas u shpreh se “nuk duhet politizuar” sporti. Por opozita e ka ngritur fort zërin orët e fundit. “Mendoj se ka gabuar”, – deklaroi Manuel Bompard, koordinator i ardhshëm ‘La France Insoumise’ (e majta radikale).

“Mund të respektohet entuziazmi i njerëzve, por nuk është e njëjta gjë të japësh mbështetjen tënde politike ndaj Katarit, duke shkuar në atë vend. Kombëtarja franceze ka nevojë për tifozët e saj për të fituar, jo për Makron në tribunë. Kurse të drejtat e njeriut në Katar kanë nevojë për veprën diplomatike të Francës”, – ka shtuar ai.

Edhe eurodeputeti dhe ish-kandidati për president, Yannick Jadot, ka folur sërish për një bojkot politik të Kupës së Botës, sidomos tani, pas arrestimit të zëvendëspresidentes të PE-së, Eva Kaili, për korrupsion që lidhet me Katarin.

“E dimë prej vitesh që kjo Kupë Bote është një dramë ekologjike dhe sociale, – ka shkruar Jadot. – Ka një hetim në Francë për një pakt korrupsioni që lidhet me Katarin. Emanuel Makron nuk duhet të shkojë atje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë