Gazeta Si – Para ndeshjes me Francën, shtypi anglez rriti presionin te Hugo Loris, portieri i ‘Gjelave’ dhe Totenhemit. Sipas britanikëve, Loris nuk është më ai i dikurshmi, është jashtë forme.
Dhe kapiteni i Francës iu përgjigj atyre me një paraqitje të shkëlqyer, me pritje të bukura ndaj Kejn dhe Belingham. Pas ndeshjes, Aurelien Tçouameni e kishte gati përgjigjen për Loris: “Anglezët kanë shkruar dhe thënë budallallëqe. Njerëzit flasin, ne përgjigjemi me fakte, Loris ishte i jashtëzakonshëm”.

Një përgjigje që tregon edhe personalitetin e Tçouamenit, brenda dhe jashtë fushës, edhe pse 22 vjeç.
Në 4-2-3-1-shin ‘deshampian”, Tçouameni dhe Rabiot janë dy mesfushorët e qendrës. Në krahasim me 2018-ën, Franca ka një mesfushë të re. Nuk janë Kante dhe Pogba të dëmtuar dhe dukej se do të ishte problem i madh për kampionët në fuqi të botës, por Tçouameni dhe Adrien Rabiot e kanë mbajtur skuadrën po aq kompetitive.
Tçouameni, francez me origjinë kamerunase, është rritur Bordo dhe u bë dikush te Monako. Kishte si pikë referimi Pol Pogba, që e ka shenjtëruar: “Aurelien është gati për gjithçka”. Te Monako mesfushori u takua me Cesk Fabregas, spanjollin kampion bote. Fabregas e kuptoi menjëherë potencialin e djaloshit.
“Është shumë i zoti, tek ai më pëlqen sjellja, nuk pushonte së bëri pyetje, donte të rritej shumë. Është një mesfushor që bën gjëra të thjeshta me shikimin përpara, drejt sulmuesve. Është shumë agresiv”, – ka thënë Fabregas, që me Tçouamenin u bë mik.
Merkatoja i ndau, Tçouameni u shit te Real Madrid për 100 milionë euro. Dhe i tregoi vlerat me golin ndaj Anglisë, edhe pse e prishi pak me penalltinë ndaj Saka. Mesfushori tregoi karakter, klas dhe personalitet. Me Rabiot merret vesh në mënyrë shumë natyrale, por ai është më i kompletuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



