Politike

Meta: Tahiri s’duhej bërë ministër. Pse nuk e dekretoj kreun e SHISH

Presidenti Ilir Meta në një intervistë të dhënë për emisionin “Fakt” në Syri.net ka rrëfyer arsyet se pse nuk e dekreton shefin e SHISH, pse nuk ka dekretuar ende ministrin e ri të Brendshëm, si dhe për marrëdhëniet që ka ai me kryeministrin, Edi Ramën, pothuajse pas më shumë se një vit pas zgjedhjes së tij si në krye të shtetit  .

Meta ka sulmuar ashpër ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, duke e cilësuar si një delikuent. Një ditë pasi e sulmoi Tahiri në një emisionin Opinion, kreu i shtetit iu përgjigj ashpër  ish-ministrit.

“Po ç’koment mund të kem unë për një delikuent që mbyti me drogë jo vetëm Shqipërinë, por gjithë Europën. Një person i tillë s’duhet të ishte bërë Ministër i Brendshëm, por duke pasur insistimin e kryeministrit mendova mos t’iu hiqnim këtë mundësi", tha Meta.

Ai vijuar më tej se përgjegjësia e tij është se si kryetar i LSI-së, në koalicion me PS-në, pranoi që Tahiri të bëhej ministër i Brendshëm.

“Nuk dëshiroj të vazhdoj më me këtë çështje, besoj se e dhashë një përgjigje shteruese, e cila nuk më shkarkon dhe mua nga përgjegjësia për të kaluarën time. Një nga përgjegjësitë e mia është që një person i tillë nuk duhet të ishte bërë kurrë Ministër i Brendshëm dhe unë e kisha të gjithë mundësinë. Por me këmbënguljen e kryeministrit ai u bë Ministër i Brendshëm. E dinë vetë ata pse e kanë shkarkuar”, theksoi presidenti.

Marrëdhëniet me Ramën dhe dekreti për Xhafajn

Kreu i shtetit la të kuptohet gjatë intervistës së tij së marrëdhëniet me kryeministrin Rama nuk janë të mira. Madje ai theksoi se nuk e mban mend takimin e fundit që ka zhvilluar me Ramën. “Jemi takuar as herë që na është dhënë mundësia. Do të përpiqem që ta mbaj mend. Fakti që nuk po jap përgjigje është se për mua nuk është e rëndësishme, komunikoj në mënyrë institucionale, me anë të shkresave”, theksoi Meta. Ndërsa pyetjes nëse do të ndërhynte si President për të zgjidhur situatën politike, ku prej disa analistëve konsiderohet si ngërç, Meta u shpreh si më i rezervuar, duke deklaruar se do të vepronte brenda kornizave ligjore.

“Askush të mos presë nga Meta që të bëjë punët e qeverisë, apo të opozitës, të shoqërisë civile,  apo medias. Unë do të përmbush detyrat e mia maksimale si president, dhe nuk merrem me hipoteza se si do të ishte më mirë për mua. Për mua nga dita që kam hyrë në zyrën e Presidentit, kam për detyrë të bëj vetëm detyrën ligjore të Presidentit”, deklaroi numri një i shtetit.

I pyetur në lidhje me vendimin për të dekretuar Sandër Lleshin si ministër të ri të Brendshëm, Presidenti është shprehur se do të marrë kohën e duhur. “Presidenti ka për detyrë për të ushtruar të gjitha detyrimet kushtetuese për çdo propozim që i bëhet. Nuk mund të hedh firmë për dekrete formale e aq më tepër për një detyrë të tillë që në momentin aktual, kërkon përgjegjshmëri. Di të marr vendimet e mia, pa u ndikuar nga askush, as nga orët dhe sekondat. Kushtetuta është shumë e qartë, presidenti ka përgjegjësi për çdo firmë që hedh. Ua kam thënë  qartë, kam bërë punën time institucionale, kam bërë përpjekjet e mia, kam qenë mjaft bashkëpunues me institucionet dhe personat e interesuar për këtë çështja, dhe unë i marr vendimet e mia pa u ndikuar nga askush. Më duket se Kushtetuta është shumë e qartë, presidenti ka përgjegjësi për çdo firmë që hedh. Nëse do të kishte firmë unë atë nuk do ta lija për ta shpallur në studion tuaj, do ta kisha bërë atë publike", theksoi Presidenti.

Meta është shprehur se pozicioni i ministrit të Brendshëm nuk është teknik, por politik. Sipas Metës është shumë i rëndësishëm ky pozicion dhe ai do të marrë kohën e duhur.

“Padashur të hyj në diskutim dhe debate me ju, mund tu them se çdo president ka për detyrë që me veprimet e tij apo mosveprimet e tij të marrë përgjegjësinë e duhur publike dhe të tregojë përgjegjshmëri. Në këtë drejtim unë përgjegjshmëritë e mia do ti ushtroj në mënyrë kurajoze dhe maksimale. Në këto momente Shqipëria është në luftë me krimin e organizuar, dhe kjo po e mban Shqipërinë larg BE-së. Unë nuk paragjykoj askënd, unë ushtroj përgjegjësitë e mia në mënyrë maksimale. Të gjithë ata që mendojnë se mund të ndikojnë në mënyra të ndryshme sipas interesit apo vlerësimit të tyre, duhet të jetë të qetë se unë nuk ndikohem nga asgjë, përveç detyrës që i takon presidentit për të qenë një institucion i përgjegjshëm. Kjo nuk ka asnjë arsye që të ndikojë, poker ajo që dua të theksoj është se pavarësisht nga background i secilit kandidat është tepër e rëndësishme të kuptojmë se lufta kundër drogës dhe krimit nuk është luftë teknike, por politike. Po të ishte teknike Habiljat do ti kishte arrestuar Zagani dhe nuk do ta kishin shkarkuar ata Zaganin, që ishte një kuadër i policisë dhe ta detyronin të shkonte në azil në Zvicër dhe më pas të arrestoheshin në polici. Pra kjo kërkon një vullnet të fortë politik sepse është përgjegjësi e parlamentit, kryeministrit, presidentit për të çrrënjosur krimin e organizuar”, theksoi presidenti.

Më pas ai ka shpjeguar dhe faktin se pse e firmosi menjëherë dekretin për shkarkimin e Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm, duke theksuar se akti i tij nuk ka nevojë për investigime.

“Ministri që dha dorëheqjen dhe mendoj se tregoi një vullnet për të ecur në këtë drejtim pavarësisht vështirësive dhe rrethanave të komplikuara, pra kjo është në betejë e të gjithëve dhe përgjegjësitë e ministrit janë shumë të rëndësishme. Lleshin e njoh vetëm si emër si funksionar që ka qenë si funksionar i lartë në ushtri apo si këshilltar i kryeministrit. Askush nuk mund të ndikojë tek Ilir Meta me interpretime. Pas ngjitjes së Jezercës ju garantoj se edhe më të forta do ti kalojmë të gjithë së bashku, prandaj mos na i kujto ato vite të kaluara", u shpreh presidenti.

Për këtë shkak, dekreti për ministrin e Brendshëm, Meta e cilëson si shumë kurajoz. “Presidenti Meta është shprehur se ‘nuk është çështje shpatullash, por është çështje bindjesh, nëse nuk më bindin nuk do ti dekretoj’. Kemi rastin e Italisë ku presidenti ka të njëjtat kompetenca, ku ai mendoi se një emër i propozuar si ministër ekonomie nuk e firmosi, pasi mendoi se rrezikonte ekonominë e Italisë. Askush nuk e detyron presidentit të firmosë një emër jashtë bindjes së tij. Në këtë drejtim unë përgjegjshmëritë e mia do ti ushtroj në mënyrë kurajoze dhe maksimale. Në këto momente Shqipëria është në luftë me krimin e organizuar, dhe kjo po e mban Shqipërinë larg BE-së. Unë nuk paragjykoj askënd unë ushtroj përgjegjësitë e mia në mënyrë maksimale. Të gjithë ata që mendojnë se mund të ndikojnë në mënyra të ndryshme sipas interesit apo vlerësimit të tyre, duhet të jetë të qetë se unë nuk ndikohem nga asgjë, përveç detyrës që i takon presidentit për të qenë një institucion i përgjegjshëm’, deklaroi presidenti.

Mos dekretimi i shefit të SHISH

Meta në intervistën e dhënë ka treguar edhe disa prej bindjeve të tij se pse nuk e ka dekretuar ende kreun e ri të SHISH. “Nuk mendoj se është vendi këtu për të bërë diskutime të tilla. Së dyti unë vendos me bindje të plotë. Në rastin aktual as se kam kthyer e as se kam konfirmuar. Shumë të mirë e kemi marrëdhënien me zv.Drejtorin aktual të SHISH. Rrethanat se si u bë dorëheqja e zotit Ajazi, e cila ka qenë një dorëheqje jokorrekte, sepse ajo i jepet presidentit dhe jo kryeministrit. Ai nuk meritonte të sillte një dekret tjetër në presidencë, unë e konfirmova sepse i kisha vënë kusht që të vazhdonte luftën me drogën dhe krimin. Unë kam qenë dëshmitar në mbledhje të sigurisë kombëtare. Unë duke të njohur ty, e di që po ta kishte bërë ty, ti as dekretim për ta bërë ambasador e as dekoratë nuk do i jepje. Unë i kam dhënë dekoratë sepse ka mbajtur qëndrime shumë të qarta sa i vlen luftës kundër drogës dhe krimit. SHISH ka punuar më mirë se shumë institucione të tjera në këtë fushë’, u shpreh Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë