Katar 2022

Ronaldo nguron t’i japë lamtumirën Portugalisë, lë gjithçka të hapur

Gazeta Si – Zhgënjimi është shumë i madh. E qara në fushë fillimisht, tani edhe fjalët. Kristiano Ronaldo po tenton të vendosë një gur mbi ëndrrën e jetës, atë të fitimit të një Kupe Bote me Portugalinë.

Me shumë trishtim CR7 ka dashur së fundi të shprehet në lidhje me polemikat e javës së fundit. Ai ka bërë një postim në Instagram, ku mundohet të sqarojë zërat e fundit, por nguron të japë lamtumirën nga kombëtarja.

“Të fitoja një Botëror me Portugalinë ishte ëndrra më e madhe në karrierë. Kam fituar shumë tituj ndërkombëtare, edhe me Portugalinë, por të vija emrin e vendit tonë në nivelin më të lartë në botë ishte vërtet ëndrra më e madhe. Kam luftuar për këtë, kam luftuar fort.

Në 5 edicione të Kupës së Botës ku kam marrë pjesë, gjithmonë në krah të lojërave të mëdhenj dhe i mbështetur nga miliona portugezë, kam dhënë gjithmonë gjithçka kisha”, – shkruan portugezi.

“Nuk jam kursyer kurrë dhe nuk kam hequr kurrë dorë nga ëndrra, që për fat të keq përfundoi. Dua që të gjithë ta dinë se shumë është folur dhe shumë është shkruar, ka pasur edhe spekulime, por dedikimi ndaj Portugalisë nuk ka ndryshuar kurrë. Kam luftuar për objektivin e të gjithëve dhe nuk ua kam kthyer kurrë shpinën shokëve dhe vendit.

Për momentin nuk kam çfarë të them më shumë. Faleminderit Portugali. Ëndrra ishte e bukur për aq sa zgjati. Tani shpresojmë që koha të jetë një këshilltar i mirë dhe të lejojë secilin të nxjerrë konkluzionet e veta”, – përfundon Ronaldo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë