Katar 2022

Kejn i shkatërruar për penalltinë e humbur, Southgejt i del në mbrojtje

Gazeta Si – Bomberi anglez gaboi në penalltinë që do ta çonte rezultatin në 2-2. Trajneri Southgejt e mbron nga kritikat pas eliminimit nga Botërori i Katarit.

Herri Kejn nuk e ka fshehur zhgënjimin pas humbjes me Francën, që i kushtoi eliminimin Anglisë. Kapiteni i ‘Tre Luanëve’ shënoi një gol me penallti, por humbi penalltinë e dytë, që do t’i jepte ndeshjes një tjetër rrjedhë.

Kejn pretendon per penallti gjate ndeshjes me Francen. Gazeta Si, 11 dhjetor 2022

Në rrjetet sociale Kejn ka shkruar: “Ndihem i shkatërruar plotësisht. Dhamë gjithçka dhe gjithçka u prish nga një detaj i vogël, për të cilin marr përgjegjësitë. Na dhemb ky eliminim, do na duhet kohë për ta kaluar, por është pjesë e sportit.

Tani na duhet të përdorim eksperiencën për të qenë mendërisht dhe fizikisht më të fortë për sfidën e radhës. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen gjatë Botërorit, do të thotë shumë”, – ka shkruar sulmuesi i Totenhemit.

Nëse do të shënonte edhe në minutën e 84-t, Kejn mund ta çonte ndeshjen ne shtesë. Gjysmë ore më parë ai e fitoi duelin me Loris, kurse në tentativën e dytë e çoi topin te tifozët, duke shuar shpresat e miliona tifozëve anglezë.

Në mbrojtje të kapitenit Kejn ka dalë menjëherë trajneri Gareth Southgejt, i cili ka thënë: “Fitojmë dhe humbasim të gjithë bashkë si skuadër. U ndëshkuam në dy raste dhe shpërdoruam disa raste. Nuk do ishim këtu, nëse nuk do të ishte Kejn”. Trajneri e ka mbrojtur publikisht sulmuesin një ditë pas eliminimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë