Kosova

Vuçiç ndez gjakrat për barrikadat: Nuk dorëzohemi

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se mesazhi i tij për serbët nga Kosova është se “nuk ka dorëzim dhe nuk do të ketë dorëzim”, duke shtuar se ata janë “detyruar t’i ngrinin barrikadat”.

Në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës janë ngritur barrikada të shtunën, pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç, për shkak se siç është thënë, ai ka organizuar “sulmin terrorist në zyrat e KQZ-së në veri të vendit”, më 6 dhjetor.

Si shenjë pakënaqësie, serbët lokalë kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar disa rrugë në veri, të cilat janë të bllokuara edhe sot(11 dhjetor).

“Mesazhi për të gjithë të tjerët është që të formohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe], të respektohen të drejtat dhe liritë e serbëve dhe të sillen në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara dhe të drejtën ndërkombëtare, sepse kjo është mënyra e vetme për të filluar normalizimin e marrëdhënieve”, shkroi ai në Instagram më 11 dhjetor. Vuçiç shtoi se autoritetet në Serbi do të vazhdojnë “luftën për paqe me të gjitha mjetet ligjore”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se barrikadat e vendosura në veri të Kosovës duhet të hiqen menjëherë dhe se autoritetet e Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ai u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian ta dënojnë atë që ai e quajti “dhunë të organizuar” dhe vlerësoi se çfarëdo veprimi tjetër “do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë