Katar 2022

Shpërthejnë portugezët: I papranueshëm arbitri argjentinas, t’ia japin Kupën Mesit!

Gazeta Si – Reagime të ashpra nga kampi portugez pas eliminimit nga Botërori i Katarit. Humbjen 1-0 ndaj Marokut në çerekfinale ata ia kanë faturuar gjykimit dhe sipas tyre është e papranueshme që ajo ndeshje të arbitrohej nga një argjentinas.

Pepe kunder arbitrit gjate ndeshjes me Marokun. Gazeta Si, 11 dhjetor 2022

Mbrojtësi Pepe, pas humbjes me Marokun u shpreh: “Është e papranueshme që këtë ndeshje e drejtoi një arbitër argjentinas pas asaj që ndodhi një ditë më parë në ndeshjen Holandë-Argjentinë. Mesi u ankua për gjykimin. Dhe me atë që pashë në ndeshjen tonë, le t’ia japin Kupën Argjentinës”.

Jo vetëm Pepe, edhe Bruno Fernandes ka dalë hapur kundër FIFA-s në lidhje me caktimin e argjentinasit Fakundo Telo si arbitër i ndeshjes Portugali-Marok.

“Nuk më plas fare, do ta them atë që mendoj. Nuk e di pse nuk shkojnë t’ia japin Kupën Argjeëntinës. Është shumë e çuditshme se si në ndeshjen tonë caktojnë një arbitër argjentinas, një arbitër nga një vend që ka skuadrën e vet në garë për trofeun”, – shkruante lojtari i Mançester Junajtid në profilin e tij në Tuiter.

Në ndeshjen mes Portugalisë dhe Marokut ishin disa episode, ku luzitanët pretenduan për penallti, por arbitri nuk i mori në konsideratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë