Katar 2022

FIFA hap dy hetime për sherrin në Holandë-Argjentinë, priten masa

Gazeta Si – Komisioni i Disiplinës së FIFA-s ka hapur dy hetime për atë që ndodhi në ndeshjen Holandë-Argjentinë, pasi analizoi pamjet filmike të sherrit në fushë mes lojtarëve të dy skuadrave.

Hetimi i parë është hapur ndaj Federatës së Argjentinës për shkelje të nenit 12 (sjellje e keqe e lojtarëve dhe zyrtarëve) të kodit disiplinor. Hetimi i dytë është kundër Federatës Holandeze, edhe ajo për shkelje të nenit 12.

Sfida Holandë-Argjentinë, e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Botës, u mbyll me 16 kartonë të verdhë dhe një të kuq. Ndeshja pati tension dhe një sërë ndërhyrjesh të ashpra dhe gjestesh plateale.

Situata doli nga kontrolli pas topit të gjuajtur nga Paredes kundër stolit holandez dhe degjeneroi gjatë ekzekutimit të penalltive. Tensioni u shtua pasi drejtuesit e Argjentinës u futën në fushë në fund, kur Holanda shënoi 2 gola.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë