Katar 2022

Zhiru çon Francën në gjysmëfinale, kapiteni Kejn tradhton Anglinë

Gazeta Si – Franca kalon në gjysmëfinale të Katar 2022, ku e pret Maroku. Kampionët në fuqi të botës kanë mundur 2-1 Anglinë, flaë golave të Tçouameni në pjesën e parë dhe Zhiru në të dytën. Kejn barazoi përkohësisht me penallti, por humbi një tjetër në fundin e ndeshjes.

Në çerekfinalen e fundit të Katar 2022, skuadra e trajnerit Didier Deshamp vuajti jo pak për të fituar betejën me anglezët, edhe pse e zhbllokoi rezultatin shpejt. Që në minutën e 17-të Tçouameni shënoi me një të djathtë të fuqishme nga jashtë zonës. Në këtë rast anglezët patën pretendime se aksioni i Francës nisi nga një faull ndaj Saka.

Në fillim të pjesës së dytë Anglia fitoi një penallti me Saka dhe Kejn goditi saktë përballë Loris. Pas disa rastesh për Anglinë, Franca gjeti golin e fitores me veteranin Zhiru, i cili goditi me kokë dhe me devijimin e Meguajër e dërgoi topin në rrjetë.

Pas 5 minutash Franca u fal nga kapiteni Kejn, që këtë herë gaboi penalltinë e akorduar nga VAR-i, pas një shtyrjeje të Hernandez ndaj Maunt. Sulmuesi anglez goditi mbi tra. Gjysmëfinalja e dytë e Botërorit të Katarit është Marok-Francë.

Anglezët ia dolën të mbulonin mirë Mbape, por u ndëshkuan nga Zhiru. Botërori i ‘Tre Luanëve’ përfundon këtu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë