Katar 2022

Gjysmëfinale historike, përralla e bukur e Marokut vazhdon edhe me Portugalinë

Gazeta Si – Përralla e Marokut vazhdon. Skuadra afrikane shkruan historinë me kualifikimin në gjysmëfinale të Botërorit të Katarit. Në ‘Al Thumama Stadium’ vendosi një gol me kokë i En-Nesyri. Eliminohet Portugalia e Ronaldos, kurse djemtë e trajnerit Regragui presin fituesin e çiftit Angli-Francë.

Pas Belgjikës në grup dhe Spanjës në 1/8-at, ishte radha e Portugalisë për të provuar forcën e Marokut. Çerekfinalja mes këtyre dy skuadra përfundoi 1-0 në favor të afrikano-veriorëve. Ishte një ndeshje e fortë dhe shumë e luftuar.

Në fundin e pjesës së parë, En-Nesyri shënoi golin e vetëm, duke kërcyer fuqishëm me kokë, por duke përfituar edhe nga dalja e gabuar e portierit Diogo Kosta. Portugalia reagoi menjëherë dhe një top i gjuajtur nga Bruno Fernandes u stampua në traversë.

Në pjesën e dytë u futën në fushë edhe CR7 dhe Kanselo. Portugalia rriti xhirot, por pa mundur ta çante bunkerin maroken. Kedira u ndëshkua me karton të kuq në shtesë, por pak rëndësi ka. Maroku për herë të parë në histori shkon në gjysmëfinale të një Kupe Bote.

Maroku feston golin e fitores ndaj Portugalise. Gazeta Si, 10 dhjetor 2022

Portugalia kthehet në shtëpi dhe me siguri polemikat do të jenë të mëdha edhe për shkak të çështjes Ronaldo. Ylli portugez largohet kështu nga Botërori i fundit që në çerekfinale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë