Katar 2022

Brazili i thotë lamtumirë Botërorit, Kroacia në gjysmëfinale

Gazeta Si – Brazili i thotë lamtumirë Botërorit të Katarit. Kroacia bën një tjetër mrekulli nga pika e bardhë e penalltive dhe shkon në gjysmëfinale, ku do ndeshet me fituesin e çiftit Holandë-Aregjentinë. Kroatët e trajnerit Zllatko Daliç e çuan ndeshjen aty ku deshën, te penalltitë.

Koha e rregullt përfundoi pa gola, kurse në shtesë të dyja skuadrat shënuan nga një gol dhe pas barazimit 1-1 fati i kualifikimit u vendos nga penalltitë. Edhe këtë herë, ashtu si me Japoninë, fati ishte në anën e Kroacisë. Livakoviç priti penalltinë e Rodrigos, kurse Markinjos goditi shtyllën, ndërsa kroatët i shënuan të katërta penalltitë që gjuajtën.

Ndeshja u luajt kryesisht në gjysmëfushën kroate, por Brazili nuk mundi të shfaqej rrezikshëm aq sa duhej. Shumë e vështirë për djemtë e Tites për ta çarë mbrojtjen kroate. Vetëm dy-tre raste të Nejmarit, që u mbyllën me gjuajtje të dobëta.

Vinicius ishte në një ditë të keqe dhe u ndërrua në pjesën e dytë. Brazili e shtoi rimtin me Antoni në krahun e djathtë, por pa efikasitet në sulm. Edhe kroatët patën ndonjë rast sporadik, por edhe ata pa rezultat.

Në shtesën e pjesës së parë shtesë Nejmar kaloi Brazilin në avantazh, pas një kombinimi të bukur më Rodrigon dhe veprimeve të tij teknike. Kur dukej se ndeshja do të përfundonte 1-0, kroatët barazuan me Petkoviç në një sulm të shpejtë. Gjuajtja e sulmuesit u devijua edhe nga Markuinjos.

Te penalltitë lojtarët e Kroacisë ishin të saktë 100%, ndërsa brazilianët jo dhe tani duhet të bëjnë valixhet gati. Kroacia për herë të dytë radhazi shkon në gjsymëfinale të Botërorit me trajnerin Daliç. Katar 2022 humb favoritin kryesor, ndërsa kroatët presin të mësojnë kundërshtarin nga sfida Holandë-Argjentinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë