Atletike

Shkelën Kodin e Sjelljes, atleti Izmir Smajlaj dhe dy zyrtarë të FSHA-së pezullohen nga AIU

Gazeta Si - Atleti i kërcimit së gjati Izmir Smajlaj dhe dy zyrtarë të lartë të këtij sporti në Shqipëri janë pezulluar nga AIU, pasi u akuzuan për dhënien e informacionit të rremë, që e ndihmoi shkodranin të fitonte një vend në Lojërat Olimpike të Tokios vitin e kaluar.

Sipas agjencisë së lajmeve "AP", Njësia e Integritetit të Atletikës tha të premten se kishte akuzuar Izmir Smajlajn, Presidentin e Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjegj Ruli dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Nikolin Dionisi për shkelje disiplinore për një garë të zhvilluar në Shqipëri në maj 2021, dy muaj përpara Olimpiadës së Tokios. Të gjithë janë pezulluar përkohësisht derisa çështja të zgjidhet.

Smajlaj u shpall fitues i garës me një kërcim rekord kombëtar prej 8.16 metrash. “Thuhet se informacione të rreme iu dorëzuan World Athletics dhe AIU në mbështetje të rezultatit të garës”, tha AIU.

Rezultati i Smajlajt nuk ishte mjaftueshëm i mirë për t'u kualifikuar në Olimpiadë, por ai fitoi një vend sipas rregullit të "universalitetit", që lejon vendet të dërgojnë një atlet mashkull ose femër në garat olimpike.

Këta atletë duhet ende të aplikojnë me dëshmi të "nivelit të tyre teknik" dhe përvojës së ngjarjeve ndërkombëtare për të bindur zyrtarët që t'u japin atyre një vend. AIU tha në shtator se Shqipëria ishte një nga shtatë vendet në "listën e vëzhgimit të manipulimit të konkurrencës" së bashku me Turqinë, Uzbekistanin, Moldavinë, Gjeorgjinë, Kirgistanin dhe Armeninë.

Izmir Smajlaj dhe trajneri Gjergj Ruli. Gazeta Si, 9 dhjetor 2022

Reagon Smajlaj: Jam në gjyq me AIU-në
Pas lajmi ka reaguar edhe vetë atleti Izmir Smajlaj me një postim në faqen e tij në Facebook. Ai pretendon se lajmi është i rremë dhe se është në një proces gjyqësor me AIU-në.

“Po qarkullon në media një lajm i rremë, për të cilin thuhet që unë jam pezulluar nga aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare të atletikës. Për shkak të mbështetjes dhe respektit tuaj, do t’iu jap shpjegimin e shkurtër, në të cilin ju tregoj që:

Unë jam në një proces gjyqësor me AIU prej një viti, për dëmtim imazhi, si dhe për faktin që unë NUK kam mashtruar me mundin e vullnetin e sportit që përfaqësoj, ndaj kërkoj prej jush heshtjen, respektin e mirëkuptimin deri në përfundim të këtyre seancave, ku po kërkohet të shpallet PA-Fajësia ime në këtë vorbull akuzash të rënda e të pavërteta!” - shkruan Smajlaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë