Katar 2022

Holandë-Argjentinë kurrë banale, 5 sfida botërore të mbetura në memorie

Gazeta Si – Një ‘Klasike’ është ajo që ka gjithmonë diçka për të dhënë. E pra, Holandë-Argjentinë, një nga çerekfinalet e Botërorit të Katarit, ka ende shumë për të shkruar në historinë e saj.

Një sfidë që ka shpërthyer në vitet ‘70 dhe që ka vazhduar me skena impresionuese më pas. Në Botërorë Holandë-Argjentinë ka mbetur në memorie për 5 përplasje të veçanta, për një arsye apo një tjetër.

Johan Krujf në ndeshjen e 1974-ës. Gazeta Si, 9 dhjetor 2022

Gjermani 1974, faza e dytë
Kryqëzimi i parë mes ‘Tulipanëve’ dhe amerikano-jugorëve axhornon menjëherë alamanakët. Në 1974-ën, pas fazës në grupe, formula parashikonte një tjetër ndarje në grupe, nga e cila dilnin finalistët e turneut. Argjentina dhe Holanda përfunduan në të njëjtin grup dhe luajtën ndeshjen e parë. Holandezët atë ditë krijuan në sytë e botës mitin e ‘Portokallit mekanik’.

Argjentina u mund 4-0. Johan Krujf shënoi dy golat e parë në fazën finale të një Botërori, Holanda bëri një ndeshje për ‘Oscar’. Holanda e madhe, ajo që revolucionarizoi lojën, lindi nga pokeri ndaj Argjentinës. U mund vetëm në finale nga gjermanët, të zotët e shtëpisë.

Argjentinasit festojnë me Kupën e Botës në 1978-ën. Gazeta Si, 9 dhjetor 2022

Argjentinë 1978, finalja
E gjitha ajo që qarkullon rreth Botërorit të Argjentinës në 1978-ës është një histori e njohur. Trupa ushtarake e Jorge Videlas shpresonte të fitonte Kupën e Botës për të kaluar në heshtje dramën e dhunës kundër disidentëve të regjimit. Skuadra eci mirë deri në finalen e Buenos Airesit, ku përpara ishte Holanda, si 4 vjet më parë.

Krujf nuk ishte më dhe holandezët ishin 4 vjet më të vjetër në krahasim me pokerin gjerman. Jo vetëm kaq, këtë herë Argjentina kishte bomberin Mario Kempes, që zhbllokoi rezultatin. Naninga barazoi, në shtesë shënoi sërish Kempes dhe në fund Bertoni mbylli gjithçka 3-1. Argjentina u shpall kampione bote për herë të parë në histori.

Bergkamp shënon në 1998-ën. Gazeta Si, 9 dhjetor 2022

Francë 1998, çerekfinale
Në një nga edicionet më të pasura në cilësi në historinë e Botërorëve (fiks 20 vjet pas finales së Buenos Airesit), këto dy skuadra u përballën sërish. Holanda shënoi e para me Klajvert, Argjentina e Pasarelës barazoi me Klaudio Lopez, që luante në sulm me Batistutën.

Ndeshja u bë nervoze, në pjesën e dytë mbetën 10 kundër 10, pas kartonëve të kuq të Numan dhe Ortega. Po shkohej drejt shtesës, por në minutën e 89-të Denis Bergkamp uli bukur një top të gjatë, kaloi Ajalën dhe me të jashtmen gjeti trekëndëshin. U kualifikuan holandezët.

Mesi dhe Van der Vart në ndeshjen e 2006-ës. Gazeta Si, 9 dhjetor 2022

Gjermani 2006, faza në grupe
Përsëri një Botëror në Gjermani, përsëri një sfidë mes portokallinjve dhe bardhekaltërve. Holandë-Argjentinë në ndeshjen e tretë në grup, me të dyja skuadrat të kualifikuara. U regjistrua një 0-0, por që zuri një vend në historinë e Botërorëve: për herë të parë Lionel Mesi luajti titullar.

Trajneri Pekerman e aktivizoi përkrah Tevezit, luajti me fanellën me numrin 19. Dhe 16 vjet më pas Leo rigjen Holandën në Botërorin e fundit të tij. Është i vetmi që merr pjesë në të dyja sfidat.

Vlar humbet penalltinë në 2014-ën. Gazeta Si, 9 dhjetor 2022

Brazil 2014, gjysmëfinale
Kupa këtë herë luhet në Brazil dhe Argjentina e trajnerit Sabela ëndërron të triumfojë në ‘Maracanà’. Por rrugës është gjenerata e madhe e fundit e Holandës, me Roben, Shneijder, Van Persi dhe Kajt, të cilët premtojnë betejë dhe ndeshja është e ekuilibruar.

Mbetet 0-0 edhe pas 120 minutash dhe duhen penalltitë për fituesin. Dikujt i dridhen këmbët, Vlar dhe Shneijder gabojnë, Mesi dhe Maksi Rodriguez janë të ftohtë. Në finale shkon Argjentina, ku mundet nga Gjermania. Ëndrra për të kërcyer në ‘Maracanà’ u shuajt nga goli i Mario Gëces në shtesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë