Gazeta Si – Spanja jashtë, Maroku avancon në çerekfinale. Pas Gjermanisë dhe Belgjikës, një tjetër skuadër e madhe lë para kohe Botërorin e Katarit. Portieri Bono është ‘heroi’ i afrikano-veriorëve me dy penallti të pritura.

Dominimi i kontrollit të topit nuk i shërbeu për asgjë Spanjës në ndeshjen me Marokun. Ishte një dominim steril, pa asnjë rast të pastër shënimi. Përkundrazi, rastin më të pastër e patën marokenët në shtesë, me Sabiri, që goditi dobët përballë portierit Unai Simon.
Trajneri Luis Enrike bëri disa ndërrime në pjesën e dytë, duke freksuar sulmin me Moratën dhe Niko Uilliams. Spanja u bë më e rrezikshme, por pa mundur ta çante mbrojtjen e Marokut. As shtesa 30-minutëshe nuk solli ndryshim rezultati dhe fati iu la në dorë penalltive.
Për Spanjën gjuajtën Sarabia, Soler dhe Buskets, por asnjëri prej tyre nuk ia doli ta çonte topin në rrjetë. I pari goditi shtyllën, dy të tjerët u ndalën nga portieri Bono. Maroku shënoi 3 herë në 4 penallti, e fundit me Hakimin, që vulosi kualifikimin e skuadrës së tij. Në çerekfinale Maroku do ndeshet me fituesin e çiftit Portugali-Zvicër.
Spanja kthehet në shtëpi dhe ndoshta është goditur nga ‘mallkimi’ i gjermanëve, të cilët nuk kaluan grupin për shkak të humbjes së ‘llogaritur’ të Spanjës me Japoninë në ndeshjen e tretë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



