Gazeta Si – Një ndeshje fitohet nga krahët, në qendër nuk çahet më. Të shënosh është bërë gjithmonë e më e vështirë. Ka më pak gjuajtje në portë, sepse mbrojtjet janë më të organizuara dhe më të mbledhura se më parë. Janë konkluzione të profesor Arsen Venger, i cili ka folur së fundi për Botërorin e Katarit.
Shefi i futbollit në FIFA thekson se portieri sot duket se liberoja i dikurshëm, ndërsa driblimet ‘një kundër një’ janë zhdukur për t’ia lënë vendin lojës kolektive. Shumë vrapojnë, por me shumë mundësi keq, sepse skuadrat me më shumë kilometra janë jashtë, kurse ajo që vrapon më pak, Argjentina, është në çerekfinale. Argjentina gjithsesi ka Mesin, që i shpëton çdo lloj klasifikimi laboratorik.

FIFA prezantoi së fundi raportin teknik të fazës në grupe të Katar 2022, të bërë nga Venger dhe trajnerët e tjerë Jurgen Klinsman, Ça Du Ri, Paskal Zuberbuhler dhe Alberto Xakeroni. Një kuadër interesant, por pak shqetësues, nëse vërtet futbolli vazhdon të perfeksionohet, sidomos në mbrojtje.
Venger ka shpjeguar se asnjë skuadër nuk arriti të merrte pikë të plota në grupe, sepse sforcoja fizike ka qenë shumë e lartë. Gati 31% e skuadrave në ndeshjen e dytë regjistroi një rezultat të kundërt me atë të ndeshjes së parë. Shumë të ndryshme edhe pjesa e parë me të dytën (ku Japonia përmbysi Gjermaninë dhe Spanjën).
Që nga Itali 1990, me një mesatare 2.1 gola për ndeshje, FIFA ka studiuar të gjitha mënyrat si të shtohen golat, duke nisur nga ndalimi i kthimit të topit te portieri. Por faza na grupe e Katar 2022 ka shkuar në sens të kundër: mesatarja e golave për ndeshje është 2.50, në një rënie të lehtë në krahasim me Rusi 2018 (2.54) dhe Brazil 2014 (2.83).
Por është më mirë se Afrikë e Jugut 2010 (2.10). Më shumë gola shënohen në kohën shtesë pas minutës së 90-të, 12 gola. Skuadrat janë më të lodhura dhe më të çrregullta në mbrojtje. Ndoshta faza me eliminim direkt mund ta përmirësojë këtë statistikë.

Por rastet mund të humben. Më shqetësuese janë të dhënat e gjuajtjeve në portë, që janë në rënie. Mesatarja është 10.9 gjuajtje në portë për ndeshje, duke shënuar rënie në raport me të kaluarën: 12 (2018), 12.9 (2014), 14.1 (2010).
“Një nga arsyet është se mbrojtjet janë më të forta në qendër”, ka thënë Venger në lidhje me këtë aspekt. Kurioz është fakti se skuadra që ka gjuajtur më shumë është Gjermania, me 67 gjuajtje, para Francës dhe Brazilit (52), por është jashtë Botërorit.
“Ndoshta kjo ka ndodhur, sepse i ka mundur një ‘9”, ka thënë Klinsman, ish-sulmuesi gjerman. Gjuajnë pak Polonia dhe Australia (20 në total), por edhe Holanda (24). Sepse luajnë kryesisht me kundërsulm. “Van Gal është gjithçka, përveçse mbrojtës”, është shprehur me humor Venger.
Holanda dhe Spanja janë skuadrat më cinike. ‘Tulipanët’ shënojnë gol në çdo 1.6 gjuajtje, kurse ‘Furitë e Kuqe’ çdo 1.7 gjuajtje. Brazili ka nevojë të gjuajë 7 herë për të shënuar 1 gol dhe ky nuk është një sinjal entuziazmues për skuadrën e Tites.
E dhëna me interesante u takon zonave të sulmit. Në krahë zhvillohet pjesa më e madhe e sulmeve: 30% në të majtë dhe 28% në të djathtë. Në qendër mbetet 42%,por qendra është e gjerë 40 metra, kurse të dy krahët bëjnë 28 metra. Pra, është e qartë, tashmë mbrohet me dyfishin, në mos me trefishin përpara zonës së rreptësisë.
Prandaj ka më pak gjuajtje dhe gola. Mbrojtjet lart janë një metër më të mbledhura në krahasim me Rusi 2018, kurse ato ‘bazë’ dy metra më të mbledhura. Praktikisht, janë dy blloqe gjithmonë e më kompaktë. Në 35 metrat e fundit janë regjistruar 5 depërtime më pak për ndeshje në krahasim me 2018-ën.
Statistikat flasin qartë: +83% krose. Me rezultate të mëdha mbi të gjitha falë lojtarëve që kapin fundoren dhe krosojnë në qendër me saktësi. Krahët mund të kthehen në modë edhe në merkato. “Kush ka lojtarët më të mirë të krahëve dhe mbrojtësit-sulmues më të mirë, do të fitojë Botërorin”, – ka theksuar Venger.

Roli që ka evoluar duket se është ai i portierit. “Sot ka praktikisht një lojtar më shumë në fushë, sepse portieri nuk përdor vetëm duart”, – shprehet Klinsman. Në këtë turne portierët kanë bërë 356 pasime, kurse në Rusi 177. “Portieri sot është regjisori i parë, kështu që duhet të jetë gjakftohtë dhe me të dhëna të mira teknike”, – shton gjermani.
Janë zhdukur ndërkohë lojtarët e driblimit “një kundër një”. Tentojnë Mesi, Mbape, Musiala, pak Grilish dhe ndonjë tjetër, ‘mohikanët e fundit’. Ndoshta ngaqë disa nga lojtarët më të mirë janë jashtë forme, ose ndoshta ngaqë ka markim të dyfishtë të sulmuesve dhe shumë presing.

Por ka një të dhënë te veçantë: ata që vrapojnë më shumë janë jashtë Katar 2022. Mesatarja për skuadër është 113 kilometra për ndeshje. SHBA-të janë në majë, me 123 kilometra, pastaj vjen Australia me 120. Më pak nga të gjithë vrapon Argjentina (105), por edhe Brazili çalon në këtë aspekt. Janë gjithsesi skuadrat që rikuperojnë topin më shpejt dhe nuk kanë nevojë të vrapojnë shumë.
Nga teknika, te politika, Venger e ka mbyllur analizën me një temë të diskutueshme: “Kombëtaret e gatshme mendërisht dhe të përqendruara te turneu e jo te manifestimet politike, kanë pasur më shumë mundësi për të fituar ndeshjen e parë”. Ai i referohet Danimarkës dhe Gjermanisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



