Katar 2022

Vjedhje me armë në shtëpinë e Sterling, sulmuesi kthehet me urgjencë në Londër

Gazeta Si – Rahim Sterling humbi ndeshjen e së dielës me Senegalin për shkak të një problemi personal. Lojtarit të Çelsit iu desh të kthehej me emergjencë në Londër, pasi hajdutët i kanë grabitur me armë shtëpinë, duke i tmerruar familjarët.

Sterling mori lejen e trajnerit Southgejt dhe la grumbullimin e Anglisë për të qëndruar pranë bashkëshortes dhe tre fëmijëve, të cilët u shokuan nga ajo që u ndodhi të shtunën në mbrëmje.

Sterling me fanellën e Anglisë. Gazeta Si, 5 dhjetor 2022

“Përparësi për të është të qëndrojë pranë familjes, e mbështesim dhe i japim gjithë kohën e nevojshme. Ndonjëherë futbolli nuk është gjëja më e rëndësishme në jetë, familja vjen para së gjithash”, – ka thënë trajneri anglez pas ndeshjes me Senegalin.

Nuk është e qartë, nëse Sterling do të kthehet në kohë për të luajtur në çerekfinale ndaj Francës më 10 dhjetor. Në vend të tij trajneri Southgejt aktivizoi Foden, i cili përbente treshen sulmuese bashkë me kapitenin Kejn dhe Saka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë