Katar 2022

Portugezët s’e duan CR7 titullar, Shaqiri: Kujdes, mos e quani ‘të mbaruar’!

Gazeta Si – Moment delikat për Kristiano Ronaldon. Rreth 70% e fansave portugezë që kanë marrë pjesë në sondazhin e të përditshmes ‘A Bola’ e duan atë në stol ndaj Zvicrës. Sulmuesi nuk është në formë optimale dhe tifozët gjykojnë se është më mirë që ai të mos jetë në formacionin e Santos.

Por ndryshe mendon Xherdan Shaqiri, i cili paralajmëron skuadrën e tij që të mos e marrë CR7 për ‘të mbaruar’, sepse ai mbetet gjithmonë i rrezikshëm. Sipas futbollistit shqiptar, fakti që Ronaldo është 37 vjeç dhe aktualisht është edhe pa skuadër, nuk do të thotë asgjë.

Kristiano Ronaldo dhe trajneri Santos. Gazeta Si, 4 dhjetor 2022

“Kini kujdes kur thoni që Ronaldo ka ‘mbaruar’, – është shprehur Shaqiri. – Për mua mbetet, bashkë me Mesin, një nga më të mirët në botë. CR7 mund të të shënojë gol në çdo sekondë, në çdo minutë të ndeshjes. Me eksperiencën që ka, nuk të lë kurrë të qetë dhe është thelbësor për Portugalinë.

Kjo skuadër ka edhe lojtarë të tjerë të fortë, nuk është vetëm Ronaldo, kështu që për ne do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Ne nuk kemi talente si Kristiano, kemi grupin që duhet të bëjë diferencën. Duhet të bëjmë një ndeshje të madhe kolektive”, – ka përfunduar Shaqiri.

Zvicra dhe Portugalia njihen mirë, sepse janë përballur edhe në Ligën e Kombeve, ku luzitanët fituan 4-0 dhe zviceranët 1-0 në ndeshjen tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë