Gazeta Si – Holanda është skuadra e parë çerekfinaliste e Katar 2022. Të besuarit e trajnerit Van Gal nuk hasën shumë vështirësi për të kaluar SHBA-të, duke fituar 3-1. Tani presin fituesin e çiftit Argjentinë-Australi, amerikanët kthehen në shtëpi.
Pa u mbushur ende 10 minuta lojë, Memfis Depai kaloi Holandën në avantazh, duke finalizuar një aksion të rrjedhshëm të ‘Tulipanëve’ me një gjuajtje të saktë në zonë. Ky gol e bëri edhe më të lehtë ndeshjen për skuadrën e Van Gal, që dyfishoi në fundin e pjesës së parë me anë të Blind.
Amerikanët u futën në lojë çerek ore para fundit, falë një devijimi të çuditshëm të Rajt vetëm pak minuta pasi ishte futur në fushë. Por shpresat e SHBA-ve u shuan shpejt, sepse Holanda realizoi edhe golin e tretë.
Dumfris goditi fluturimthi me të majtën dhe portieri amerikan u mposht për herë të tretë. Tani holandezët presin të mësojnë kundërshtarin e çerekfinales, që do të dalë nga sfida mes Argjentinës dhe Australisë, kurse për amerikanët Botërori i Katarit ka përfunduar këtu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



