Rend dhe Ligj

Protesta e PD gjatë samitit të BE, Policia jep leje: Të bëhet, por jashtë perimetrit të sigurisë

Gazeta Si - Një ditë pasi Policia e Shtetit publikoi planin e masave për bllokimin e rrugëve në prag të samitit të BE, Drejtori i Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku nënvizoi se nuk do të ndalohet protesta e thirrur nga opozita pikërisht në 6 dhjetor.

Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi Policia e Shtetit ka vendosur një kusht, që ajo të zhvillohet jashtë perimetrit të sigurisë.

Për protestën është dhënë leje që “do të zhvillohet jashtë zonës së kuqe, larg perimetrit të sigurisë për delegacionet e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor. Kemi të bëjmë me 32 delegacione të larta të BE-së mbi të cilin siguria prevalon mbi gjithçka", - tha Rrumbullaku.

Sipas tij, “Policia nuk ka patur dhe nuk do ketë asnjë prirje të ndaluar apo spostuar asnjë protestë, por në këtë rast siguria e 32 delegaconeve shtetërore na imponojnë që të vëmë sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare për të protestuar. Policia nuk e ndalon protestën, por garanton mbarëvajtjen e saj jashtë perimetrit të sigurisë, pasi perimetri është i pacënueshëm”.

Ai shtoi se kur në Tiranë do të mbahet samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor, perimetri i sigurisë nuk do të cënohet dhe rendi do të jetë i garantuar.

“Policia e Shtetit ka fituar përvojën e duhur dhe besojmë se edhe në këtë rast policia do tregojë profesionalizëm. Dua të siguroj nxënësit, banorët rezidencialë brenda perimetrit të sigurisë se data 6 Dhjetor është ditë normale mësimi, pune e aktivitetit të përditshëm, pavarësisht kufizimit të lëvizjeve në disa akse rrugore për të cilat policia ka marrë masat me qëllim që të mos ketë pengesë”, - vijoi kryepolici i vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë