Gazeta Si – Brenda apo jashtë? Duke parë ndeshjen Japoni-Spanjë, përshtypja e parë është se topi ka dalë jashtë fushës në momentin e krosit të Mitoma, që solli golin e fitores së aziatikëve. Rodri e la lojën me idenë se ishte rivënie fundore, duke lejuar Tanakën të shënonte.
Në sallën e VAR-it u deshën më shumë se tre minuta për të shuar dyshimet: topi është në lojë. Por nëse është, bëhet fjalë vetëm për një milimetër, ndoshta dy. Diçka shumë e vogël, që një foto nga lart e konfirmon.

FIFA e ka konsideruar golin të rregullt dhe Japonia ka fituar, duke zënë vendin e parë në grup. Edhe Spanja, pavarësisht humbjes, është kualifikuar si e dyta me 4 pikë. E ka pësuar Gjermania me po kaq pikë.
Ai gol ngre shumë diskutime. Ka edhe aludime për një ‘hakmarrje’ të FIFA-s ndaj Gjermanisë për shkak të përplasjeve të ditëve të fundit. Në anën tjetër, logjika të çon në faktin se Spanjës i leverdiste humbja për të dalë e dyta në grup. Ky është një tjetër film…

Përtej ndërrimeve të bëra nga trajneri Luis Enrike, Spanja duket se ka arsyetur në ato momente dhe ka vendosur që Maroku është një kundërshtar më i lehtë në turin tjetër. Në këtë rast, iberikët kanë eliminuar si Gjermaninë, ashtu edhe Kroacinë. Për të shkuar më tej, në çerekfinale, duke qenë e dyta, Spanja ka eliminuar edhe Brazilin, duke shkuar në pjesën më të dobët në letër të tabelës.
Së pari Maroku, pastaj eventualisht Portugalia dhe vetëm në gjysmëfinale një mes Anglisë dhe Francës. Spanjollët do të hedhin poshtë çdo akuzë, sidomos nga ana e gjermanëve, por dyshimet e kanë një bazë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



