Katar 2022

Argjentina nuk gabon dhe merr vendin e parë, Polonia kalon edhe me humbje

Gazeta Si – Argjentina nuk gabon në sfidën me Poloninë dhe kalon në fazën tjetër të Botërorit të Katarit. Në Doha vendosën golat e Mac Alister dhe Alvarez, të cilët i dhanë fitoren 2-0 Argjentinës në ndeshjen e fundit në grup. Kalojnë edhe polakët, falë diferencës së golave me Meksikën.

Mesi me shokë vazhdojnë rrugëtimin e tyre në Botëror. Në ndeshjen e fundit në Grupin C, skuadra e trajnerit Skaloni mundi 2-0 Poloninë dhe e mbylli në vend të parë. Në 1/8-at do të gjejë përballë Australinë.

Argjentinasit bënë lojën në pjesën e parë dhe rrezikuan disa herë, por u ndalën nga Shezni. Portieri polak neutralizoi edhe Lionel Mesin nga pika e bardhë e penalltisë, që u akordua nga VAR-i.

Në pjesën e dytë Mac Alister zhbllokoi ndeshjen me një kthesë me të djathtën, ndërsa Alvarez më pas dyfishoi rezultatin, duke i dhënë Argjentinës qetësinë e nevojshme.

Polonia është kualifikuar edhe pse humbi. Ajo ka përfituar nga golaverazhi më i mirë se Meksika, që sot mundi 2-1 Arabinë Saudite. Me një gol të shënuar më shumë se meksikanët, Levandovski me shokë kanë fituar të drejtën që të kalojnë grupin. Në fazën e 1/8-ve i pret Franca.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë