Katar 2022

Australia feston kualifikimin, eliminon Danimarkën me një goditje

Gazeta Si – Futbolli është shpesh i pamëshirshëm. E provoi sot edhe Danimarka, që dominoi ndeshjen me Australinë, por u godit nga një kundërsulm i kundërshtarit, duke u eliminuar nga Katar 2022.

‘Kangurët’ fituan 1-0 ndeshjen vendimtare në Grupin D, falë golit të Lekit pas një ore lojë. E gjithë pjesa e parë u luajt në gjysmëfushën australiane, por danezët nuk mundën të finalizonin në asnjë rast.

Australianët menduan vetëm për kundërsulmin, duke qenë se u bënte punë edhe barazimi. Dhe në një të tillë Leki mposhti portierin Shmaikel, duke i dhënë Danimarkës një goditje të fortë. Pavarësisht ndërrimeve që bëri trajneri Hjumland, danezët në asnjë rast nuk kërcënuan rrezikshëm. Vetëm një pikë për ta në këtë Botëror dhe vendi i fundit në grup.

Në ndeshjen tjetër, Franca e kualifikuar luajti me formacionin e dytë ndaj Tunizisë. Dhe humbi me rezultatin 1-0. Khazri realizoi golin e fitores për Tunizinë, që gjithsesi nuk mundi të kualifikohet. Grizman barazoi shifrat në shtesë, por goli i tij u anulua për pozicion jashtë loje.

Nga ndeshja Tunizi-France, 1-0. Gazeta Si, 30 nentor 2022

Kampionët e botës e mbyllin grupin me 6 pikë, po aq sa Australia. Tunizia dhe Danimarka janë të eliminuarat e radhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë