Katar 2022

Southgejt dëgjon kritikat dhe i thur lavde Markus Rashford: I jashtëzakonshëm

Gazeta Si – Anglia u kualifikua si kryesuese në grupin e saj, me 7 pikë në 3 ndeshje. Megjithatë, ndaj trajnerit Gareth Southgejt ka pasur kritika, veçanërisht për lënien në stol të Aleksandër-Arnold dhe Foden, apo aktivizimin e paktë të tyre.

Ndaj Uellsit trajneri i ‘Tre Luanëve’ ndryshoi mendje, dëgjoi kritikat dhe i aktivizoi të dy këta lojtarë, Fodenin si titullar (autor i një goli) dhe Aleksandër Arnold në pjesën e dytë.

Anglezet festojne nje nga golat e Rashford. Gazeta Si, 30 nentor 2022

Pas ndeshjes, Southgejt ka komplimentuar skuadrën, por më shumë autorin e dy golave, sulmuesin Markus Rashford. “Ishte fantastik. Rashford është stërvitur vërtet mirë dhe ka qenë impresionues që kur është kthyer me ne. Mund të kishte shënuar tre gola, – u shpreh trajneri anglez për BBC. – Ajo goditje dënimi tregon se çfarë është në gjendje të bëjë. Është një gjuajtje e jashtëzakonshme.

Në pjesën e parë të ndeshjes me Uellsin kontrolluam lojën, por nuk krijuam raste mjaftueshëm. Donim të shtynim më shumë dhe të kishim rrezikshmëri, duke luajtur më shpejt. Sapo shënuam dy golat, e dinim që shpirti i tyre do të venitej. Ishte një turne i komplikuar për ta”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë