Katar 2022

Anglia e mbyll e para dhe gjen Senegalin, Pulisiç kualifikon amerikanët

Gazeta Si – Anglia fitoi 3-0 derbin me Uellsin dhe është kualifikuar për në 1/8-at e Botërorit 2022 si skuadra kryesuese e Grupi B. Të dielën do të përballet me Senegalin në turin tjetër.

Ndeshja u dominua nga skuadra e Southgejt, që gjeti golat në pjesën e dytë. Brenda 2 minutash Anglia shënoi dy herë, fillimisht me Rashford me goditje dënimi dhe pastaj me Foden, pas asistit të Kejn.

Në minutën e 68-të sulmuesi i Mançester Junajtid shënoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për anglezët. Uellsi e mbylli grupin në vend të fundit dhe duhet të kthehet në shtëpi.

Një ndeshje shumë më dramatike ishte ajo me Iranit dhe SHBA-ve, ku një gol i Kristjan Pulisiç në pjesën e parë kualifikoi amerikanët. Me fitoren 1-0 SHBA-të parakaluan Iranin dhe siguruan vendin e dytë në grup, me 5 pikë.

Amerikanët bënë diferencën me lojtarët e tyre më të mirë. Goli i vetëm i ndeshjes nisi nga këmbët e MekKenit, ndërsa Dest dha asistin për Pulisiç, që depozitoi topin në rrjetë dhe u dëmtua në atë moment. Irani tentoi të gjente golin e barazimit, që do ta kualifikonte, por ishte shumë konfuz në sulmet e tij.

Në fund pati pretendime për 11-metërsh nga aziatikët, por spanjolli Lahoz nuk mendonte kështu. Përfundon kështu ky Botëror për Iranin, ndërsa ëndrra amerikane vazhdon me Holandën në fazën e 1/8-ve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë