Katar 2022

Holanda dhe Senegali kalojnë në 1/8-at, Ekuadori kthehet në shtëpi

Gazeta Si – Holanda dhe Senegali janë dy skuadrat e kualifikuara nga Grupi A për në fazën e 1/8-ve të Botërorit të Katarit. Ato bashkohen me Francën, Brazilin dhe Portugalinë, duke e çuar në 5 numrin e skuadrave të kualifikuara.

Gakpo feston golin e 3-t ne kete Boteror. Gazeta Si, 29 nentor 2022

Për Holandën nuk kishte asnjë dyshim në fakt, sepse luante me Katarin e eliminuar që pas dy ndeshjeve të para. ‘Tulipanët’ fituan 2-0, me gola të të zakonshmit Gakpo dhe Frenki De Jong. Holanda e mbyll grupin në vend të parë, me 7 pikë.

Vendin e dytë e ka zënë Senegali, që mundi 1-2 Ekuadorin në sfidën direkt për kualifikim. Afrikanët duhej të fitonin patjetër dhe ia arritën qëllimit, falë golave të Sarr me penallti dhe Kulibali në zhvillimet e një goditjeje dënimi.

Ekuadorit i bënte punë edhe barazimi në këtë ndeshje për ta mbajtur Senegalin prapa, ndërsa tani i duhet të kthehet në shtëpi, sepse Botërori i tij ka përfunduar, ashtu si i Katarit vendës. Senegali, edhe pse pa yllin e tij Sadio Mane, ka arritur objektivin e kalimit të grupit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë