Gazeta Si – Franca është skuadra e parë e kualifikuar për në fazën e 1/8-ve të Katar 2022. Me fitoren 2-1 që arritën sot ndaj Danimarkës, kampionët e botës kanë siguruar kalimin e grupit, pasi kanë 6 pikë në 2 ndeshje.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Deshamp mposhti danezët, falë një dopiete të Kilian Mbape në pjesën e dytë. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 61-të, pas një aksioni të Teo Hernandez nga e majta dhe finalizimit të Mbape.
Por avantazhi i ‘gjelave’ zgjati vetëm 5 minuta, sepse Danimarka barazoi shifrat me Kristensen gjatë një goditjeje nga këndi. Ishte një moment i mirë për danezët ai pas golit të barazimit, por portieri Loris u bë shpëtimtar. Pasi iu afrua dy herë golit, Danimarka u dorëzua 4 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, kur Mbape shënoi edhe golin e dytë, pas krosit të Grizman.
Deri tani, Franca është skuadra e vetme me 2 fitore në 2 ndeshjet e para në grup. Kilian Mbape është pa dyshim njeriu kopertinë i këtij Botërori. Ka shënuar 3 gola në 2 ndeshje, po aq sa Ener Valencia, por ka ambicje të tjera nga ekuadoriani.
Mbape është lojtari i dytë që arrin 7 gola në Botëror pa mbushur 24 vjeç, pas Pelesë. Në 12 ndeshjet e fundit ka shënuar 14 gola për Francën. Numra që e kurorëzojnë ‘mbret’ futbollistin francez.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



