Gazeta Si – Një tjetër hap i gabuar dhe jashtë Botërorit. Për Argjentinën sot është dita e së vërtetës, duhet të mundë Meksikën dhe pastaj të luajë kualifikimin në ndeshjen e tretë me Poloninë.
Skuadra e Lionel Mesit, e vlerësuar si një nga pretendentet kryesore për fitimin e Kupës së Botës para nisjes së Katar 2022, sot është ‘e dënuar’ të fitojë ndaj Meksikës. Nuk do ta ketë aspak të lehtë në mbrëmje.

Sfida është ndezur këto ditë nga përplasjet mes dy tifozërive dhe pritet që edhe në fushë të ketë ‘xixa’. Në kampin argjentinas janë të ndërgjegjshëm se çfarë rëndësie ka kjo ndeshje, ku duhet të tregojnë se jo më kot janë kuotuar si pretendentë seriozë.
Trajneri Lionel Skaloni ka siguruar në konferencë shtypi se Mesi është në gjendje të mirë dhe do të jetë në fushë. I takon atij të udhëheqë Argjentinën për të marrë 3 pikët e para në Katar dhe për të mbetur në lojë për kualifikimin. Në anën tjetër, Martino, trajneri argjentinas i Meksikës, ka theksuar: “Argjentinë, më vjen keq, por dua të të mund!”
Polonia do të përballet me Arabinë Saudite, surprizën e madhe të turneut deri tani. Edhe Levandovskit me shokë u duhet të fitojnë patjetër. Dy ndeshjet e tjera që luhen sot janë Tunizi-Australi dhe Francë-Danimarkë. Kampionët në fuqi të botës bindën në ndeshjen e parë, por sot do të kenë një provë më të vështirë ndaj Danimarkës.
Ndeshjet e sotme
Tunizi-Australi (11:00)
Poloni-Arabi Saudite (14:00)
Francë-Danimarkë (17:00)
Argjentinë-Meksikë (20:00)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



