Politike

PD: Pse nuk shpallet gjendja e emergjencës? Rama: Ka kritere që s’lidhen me përmbytjet

Nisur nga situata e motit të keq në vend ku u dëmtuan tri qarqe, në interpelancën që kërkoi PD  me kryeministrin Rama, Deputeti i opozitës Ferdinand Xhaferri kërkoi shpalljen e emergjencës së fatkeqësisë natyrore.

Ai i drejtoi disa pyetje atij teksa i nxorri dhe një video kur ishte në opozitë, ku Rama për përmbytjet akuzonte qeverinë demokrate.

“Kjo që ndodh nuk ndodh për shkak të zotit. Shkodra stërpërmbytet e do vijojë të përmbytet se Shkodra nuk qeveriset, nuk ka në këtë vend një qeveri të shqiptarëve, por një çetë të kusarëve”, thoshte ndër të tjera Rama asokohe.

Sipas Ramës, përmbytjet në kohën e PD ndodhin për shkak të keqmenaxhimit, duke thënë se në atë kohë shifrat ishin shumë herë më të larta se sot.

“Janë faktet që flasin shumë qartë, ai sinkron është nxjerrë nga një moment katastrofal për Shkodrën dhe për gjithë zonën e veri perëndimit, si rezultat i keqadministrimit skandaloz, korruptiv të kaskadës.

Po i referohem shifrave të bashkisë Shkodër, jo të qeverisë, e cila dihet botërisht që nuk influencohet nga qeveria jonë. Në atë kohë kur unë kam thënë atë janë përmbytur mbi 25 mijë ha, vetëm në zonën e Shkodrës, nga të cilat 14 mijë kanë futur brenda edhe qytetin e Shkodrës në atë kohë.

Ndërkohë që prapë referuar bashkisë Shkodrës, sipërfaqja e përmbytur ka qenë 1458 ha. Këtë herë nuk ka lidhje me kaskadën dhe 4 mijeshën që sollët ju është e sakta, por nuk është vetëm për Shkodrën, por edhe për Lezhën.

Për të ardhur tek banorët e prekur. Mbi 68 mijë banorë të prekur nga shifrat e bashkisë Shkodër, ndërsa sot 130 qytetarë të evakuuar, nga 14 mijë në atë kohë”, tha Rama.

Ai shtoi se “uji në përmbytjen e atëhershme vajti deri në çati dhe ka prekur sipas bashkisë Shkodër 6130 shtëpi. Po bashkia e Shkodrës këto ditë thotë që ka pasur 30 shtëpi.

Nëse unë marr kamerën e iphon-it tim dhe e fus në një vrimë me ujë këtu në të djathtë të korridorit, mund të simuloj një përmbytje globale.

Në këtë rast nuk flas unë, por flet bashkia e Shkodrës që drejtohet  jo nga PS, por nga më të flaktit e më të përvëluarve të asaj që dikur quhej PD”, tha Rama.

Xhaferri tha se ai nuk iu përgjigj pyetjeve të ngritura nga opozita, por vetëm krahasohet me qeverinë e mëparshme, në vend se t’u jepet zgjidhje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë