Katar 2022

FIFA hap procedurë disiplinore ndaj Ekuadorit

Thirrjet diskriminuese që dyshohet se u bënë nga tifozët e Ekuadorit në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës, kanë bërë që FIFA të hapë rastin e parë disiplinor të turneut.

FIFA ka njoftuar se procedura disiplinore është hapur ndaj Ekuadorit “për shkak të thirrjeve” në ndeshjen kundër Katarit të dielën dhe ka cituar nenin e saj disiplinor që ka të bëjë me diskriminimin.

Thuhet se thirrjet i drejtoheshin Kilit, i cili me anë të çështjeve ligjore bëri përpjekje për të zënë vendin e Ekuadorit në Botëror.

FIFA nuk ka dhënë asnjë afat kohor për trajtimin e çështjes kundër Federatës së Futbollit të Ekuadorit, e cila konsiderohet përgjegjëse për sjelljen e tifozëve në lojëra.

Tifozët e Ekuadorit gjithashtu tërhoqën vëmendjen globale me thirrjet e tyre në gjuhën spanjolle “ne duam birrë” gjatë fitores 2:0 të ekipit në stadiumin “Al Bayt”.

Ishte kjo një referencë për organizatorët e FIFA-s dhe Katarit që ndaluan shitjen e birrës me alkool në stadiume. /koha


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë