Katar 2022

Gjermania bën ‘harakiri’, Japonia e përmbys me dy gola në fund

Gazeta Si – Surprizën e dytë të madhe në Botërorin e Katarit e ka bërë Gjermania. Në sensin negativ. Skuadra e drejtuar nga trajneri Hansi Flik është mundur 1-2 nga Japonia në ndeshjen e parë në grup, duke rrezikuar shumë kualifikimin.

I njëjti ‘film’ si ai i Argjentinës me Arabinë Saudite. Gjermania shënoi e para me penallti, me anë të Gyndogan, ndërsa në pjesën e dytë erdhi përmbysja e Japonisë me 2 gola. Ndryshimi i vetëm me Argjentinën është se gjermanët i pësuan golat në fund dhe nuk kishin shumë kohë të reagonin.

Një tjetër rezultat i pabesueshëm ky në Doha. Gjermania dominoi në pjesën e parë ndaj aziatikëve, por nuk mundi të shënonte më shnumë se një gol. Në pjesën e dytë muzika ndryshoi, pavarësisht se sërish skuadra e Flik humbi raste.

Ndërrimet e trajnerit të Japonisë, Morijasu, i dhanë forcë skuadrës, që barazoi me Doan dhe pastaj, 7 minuta para fundit të kohës së rregullt, shënoi edhe golin e fitores me Asano, i cili shtangu Nojerin. Komplikohen menjëherë llogaritë për Gjermaninë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë