Katar 2022

Përrallat e futbollit, për SHBA-të shënon djali i presidentit të …Liberisë

Gazeta Si – Futbolli dhuron vërtet histori të rralla. Timoti Ueah debutoi sot në Botëror me fanellën e SHBA-ve dhe realizoi golin e avantazhit në barazimin 1-1 me Uellsin. Ai është djali i ish-lojtarit të famshëm të Milanit, Zhorzh Ueah, aktualisht president i Liberisë.

Zhorzh dhe Timoti Ueah. Gazeta Si, 21 nentor 2022

Babai i Timoti nuk mundi kurrë të luante në një Botëror. Fituesi i ‘Topit të Artë’ në vitin 1995 luante me një kombëtare të vogël dhe të dobët, kështu që ishte e pamundur të shkonte në Kupën e Botës. Ëndrrën e Zhorzh Ueah e realizoi sot djali i tij, por me fanellën e SHBA-ve.

“Jam i kënaqur që shënova gol që në ndeshjen debutuese në Botëror, por do preferoja një gol vendimtar për fitoren e skuadrës”, – tha Ueah pas ndeshjes me Uellsin. Golit të Ueah në pjesën e parë iu përgjigj Bejl me një penallti në të dytën. Uellsi dhe SHBA-të regjistruan barazimin e parë në këtë Botëror.

Ueah Jr ka lindur në Bruklin, në 2000-shin. Ai ka 4 pasaporta dhe është rritur sportivisht mes SHBA-ve dhe PSG-së. Më 3 mars 2018 ka debutuar në Ligue 1, më pas ka kaluar te Selltiku dhe tani te Lila. Me kombëtaren amerikane ka debutuar po në mars të 2018-ës, duke u bërë i pari lojtar i datëlindjes 2000 që luan më këtë skuadër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë