Katar 2022

Shiriti-ylber i kapitenëve bëhet çështje dite, hyjnë në lojë kartonët

Gazeta Si – Kapitenë të skuadrave të ndryshme të Botërorit, nga Nojer te Kejn, janë gati të rreshtohen kundër represionit të Katarit ndaj komunitetit LGBTQI+. Në anën tjetër, FIFA nuk e ka bërë të qartë se çfarë sanksionesh do të ketë në këtë rast.

Sa kushton të protestosh? Është pyetja që po bëjnë aktualisht skuadrat dhe tifozët e kombëtarëve që marrin pjesë në Botërorin e Katarit. Në veçanti janë të interesuar lojtarët e gatshëm të mbajnë të famshmin shirit-ylber “One Love”, kundër diskriminimit që qeveria e Katarit po ushtron ndaj komunitetit LGBTQI+.

Nojer me shiritin-ylber në krah. Gazeta Si, 21 nëntor 2022

Emrat janë të shumtë dhe të rëndësishëm, nga kapiteni i Gjermanisë Nojer e deri te liderët e Anglisë dhe Uellsit, Kejn dhe Bejl. Ishte edhe lideri i Holandës, van Dijk, por sipas shtypit holandez ai ka vendosur të bëjë një hap prapa. Sipas rregullores, lojtarët duhet të mbajnë vetëm veshjen zyrtare që lejon FIFA.

Mbajtja e aksesorëve të tjerë është ndëshkueshme me karton të verdhë. Van Dijk, që pasdite do të luajë me Holandën ndaj Senegalit, ka deklaruar: “Fakti që duhet ta nis ndeshjen me një ndëshkim, nuk më pëlqen”. Bashkë me federatën holandeze, është vendosur që ai të mos e mbajë simbolin e protestës.

Pritej që paraditen e sotme FIFA të qartësonte qëndrimin e saj për këtë çështje, duke qenë se në Botërorët e mëparshëm nuk ka precedentë. Sipas ‘Guardian’, Federata Angleze ka kërkuar informacion të qartë nga FIFA në lidhje me këtë çështje që në shtator, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Dhe kjo federatë, ashtu si ajo gjermane, kishin shprehur gatishmërinë për të paguar gjobën e mundshme. Por hipoteza e ndëshkimit me karton duket se e ka ndryshuar situatën. Përveç van Dijk, edhe kapitenët e Zvicrës, Belgjikës dhe ndonjë skuadre tjetër duket se do ta refuzojnë shiritin-ylber.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë