Gazeta Si – E donte shumë një fitore për 2022-shin trajneri Reja dhe e ka arritur atë. E donte, sepse mund të jetë edhe mbyllja e eksperiencës kuqezi për trajnerin italian. Armenia është një kundërshtar që sjell kujtime të bukura për Shqipërinë dhe miqësorja e sotme në ‘Air Albania’ nuk bën përjashtim nga rregulli.

Shqipëria fitoi 2-0, me gola të Xhuljano Skukës dhe Kristjan Asllanit me penallti. Reja hodhi në fushë formacionin që pritej, por me Berishën në portë, çka tregon se i interesonte shumë kjo fitore. Ai kurseu Hysajn nga minuta e parë dhe aktivizoi Lenjanin.
Ndeshja u kontrollua përgjithësisht nga kuqezinjtë, të cilët që në fillim pretenduan për një penallti, pas arbitri maqedonas, edhe pasi pai VAR-in, nuk e konsideroi të parregullt ndërhyrjen ndaj Skukës.

Asllani u shfaq si një regjisor i vërtetë dhe disa herë shërbeu topa në thellësi. Në minutën e 28-të do të vinte goli. Çokaj ul mirë topin në zonë dhe pason prapa për Skukën, i cili e dërgon topin në rrjetë, duke shënuar golin e parë me fanellën kuqezi.
Në pjesën e dytë trajneri Reja hodhi në fushë edhe Baren, Ramadanin dhe Carën, më pas edhe Bitrin, Hysajn dhe Muçollin. Cara fiton një penallti dhe Asllani rrëmben me vrap topin për të shënuar nga pika e bardhë golin e parë me Shqipërinë. Skuadra jonë krijon edhe mundësi të tjera goli, por që nuk janë shfrytëzuar.
Mbyllet kështu me fitore një vit zhgënjyes për Kombëtaren, që regjistron fitoren e parë pikërisht në këtë miqësore me Armeninë. Tani pritet të zyrtarizohet pozicioni i trajnerit Reja, me shanse më të mëdha për t’u larguar. Fitorja e sotme mund të jetë përshëndetja e lamtumirës me italianin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




