Kombetarja

Shtohen mungesat për Armeninë, Broja dhe Ismajli me probleme

Gazeta Si – Pas Italisë, Shqipëria do të luajë më 19 nëntor një tjetër ndeshje miqësore me Armeninë. Luhet përsëri në ‘Air Albania’, ku kuqezinjtë do të kenë më shumë mungesa, pasi sfida me ‘axurrët’ ka lënë pasoja.

Armando Broja luajti vetëm 50 minuta, sepse e kishte të pamundur të vazhdonte më tej. Ai pësoi një dëmtim në kavilje. Gjatë kohës që ishte në stol ai mbajti akull, ndërsa pas ndeshjes u pa të linte stadiumin duke çaluar. Sipas të gjitha gjasave, nuk do të luajë me Armeninë.

Ismajli gjatë ndeshjes me Italinë. Gazeta Si, 17 nëntor 2022

Ndeshjen nuk e përfundoi as Ardian Ismajli, autori i golit të vetëm ndaj Italisë. Mbrojtësi në pjesën e dytë mbeti i shtrirë në fushë dhe u zëvendësua nga trajneri Reja, i cili me siguri nuk do ta rrezikojë të shtunën, edhe pse Ismajli është një pikë e fortë.

Pritet që në ndeshjen e radhës të ketë hapësirë për lojtarët më të rinj, si Adrian Bajrami në mbrojtje, Ramadani e Laçi në mesfushë, apo edhe Ernest Muçi e Xhuljano Skuka në sulm. Berat Gjimshiti dhe Ivan Balliu nuk janë grumbulluar për shkak dëmtimesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë