Gazeta Si – ‘Air Albania’ pritet të jetë i mbushur plot sot në mbrëmje, kur në tapetin e tij do të zbresin kampionët e Europës. Biletat e Shqipëri-Itali janë shitur të gjitha.
Edhe pse është një miqësore, në vendin tonë janë të shumtë fansat e ‘axurrëve’, të cilët do të shohin nga afër beniaminët e tyre, por tifo sigurisht që do të bëjnë për kuqezinjtë.

Trajneri Edi Reja do të hedhë në fushë më të mirët që ka në dispozicion për këtë test luksi. Në portë do të jetë kapiteni Etrit Berisha, kurse në mbrojtje do të luajë treshja e përbërë nga Ismajli, Kumbulla dhe Mihaj. Mungojnë në këtë repart Balliu dhe Gjimshiti.
Në mesfushën me 5 lojtarë, Hysaj dhe Lenjani do të pozicionohen në krahë. Në qendër do të luajnë Bare, Abrashi dhe Bajrami. Dhe në sulm dyshja premtuese e Kombëtares Broja-Uzuni.
Në anën tjetër, edhe trajneri Roberto Mançini do të luajë me lojtarët kryesorë në këtë ndeshje. Sipas shtypit italian, ai do të aktivizojë Donarumën në portë, Bonuçin, Bastonin dhe Skalvinin në mbrojtje, Verratin, Tonalin, Di Lorencon dhe Dimarkon në mesfushë, dhe në sulm Xaniolon dhe Grifon pas Raspadorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




