Gazeta Si – Shqipëria U-21 do të luajë dy ndeshje miqësore më 16 dhe 20 nëntor, përkatësisht ndaj San Marinos dhe Malit të Zi, të dyja në transfertë. Pasi shpalli listën një ditë më parë, trajneri Alban Bushi doli sot në një konferencë shtypi.

Bushi foli për rastin e Andrea Ndojt, duke theksuar se Kombëtarja nuk ka nevojë për ata që nuk e ndjejnë fanellën kuqezi. Mes të tjerash ai evidentoi një emër, Adrion Pajazitin, të cilin e quajti Demollarin e ri.
“Çështja Ndoj? Shqipëria ka boll lojtarë… I uroj fat, ne na duhen lojtarë që e ndjejnë fanellën, jo ata me dy mendje. Brenda një muaji janë bërë dy zgjedhje nga Ndoj. U thashë prindërve që e doja te Shqipëria U-21, ata pranuan me kënaqësi. Atëherë nuk e donte Greqia, tani që e do Greqia u largua menjëherë, por nuk ka problem.
Klubet shqiptare duhet të aktivizojnë më shumë lojtarë të rinj. Arda Kurtulan është risi, ka qenë te Fenerbahçe, lojtari më i ri që ka debutuar në Turqi. Është super talent. Me babain e tij kemi luajtur në Turqi dhe kjo bëri që ai të vinte këtu. Ka një lidhje me Shqipërinë nga gjyshi.
Edhe Adrion Pajaziti është një super lojtar, do ta shihni shpejt te Shqipëria A. Do ta krahasoja me Demollarin këtë lojtar që është pjesë e Fulham U-21”, – theksoi Bushi në konferencë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




