Ekonomi

Miratohet në parim buxheti dhe paketa fiskale 2023, Ibrahimaj: Të pasqyrohet edhe granti 80 mln euro i BE-së për energjinë

Deputetët e Komisionit të Ekonomisë miratuan parimisht me votat e maxhorancës projektbuxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2023. Paketa e re fiskale rrit penalitetet për disa kategori dhe veprime të bizneseve dhe unifikon akcizën për industrinë e birrës dhe pijeve alkoolike.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj kërkoi që në rishikimet nen për nen të buxhetit të pasqyrohet edhe granti prej 80 mln euro që BE do të alokojë në mbështetje të energjisë.

“Pasi sollën në Kuvend projektbuxhetin 2023 kemi marrë lajmin se Bashkimi Europian do të alokojë grantin prej 80 mln euro në mbështetje të sektorit të energjisë elektrike. Mbështetja nuk është pasqyruar në buxhet dhe kur të bëhet rishikimi nen për nen do të duhet të pasqyrojmë edhe këtë element”.

Ibrahimaj shtoi se fondi nuk ishte parashikuar në projektbuxhet, pasi fondet e IPA-s disbursohen në bazë të programeve.

“Është projekti IPA 3 që do të niste zbatimin. Ndërkohë u mendua që fondet në total për IPA 3 që disbursohen ndër vite, dhe jo në një 1 vit të kalojnë në mbështetje në formë granti për energjinë elektrike dhe në formë aplikimesh për sektorin energjetik.

Këto fonde futen në buxhet në momentin që janë mbështetje buxhetore, jo nëse janë aplikime për projekte që mund të zbatohen nga ministritë e linjës apo organet e qeverisë ose mund të zbatohen edhe nga OJF. Nëse janë për ministritë e linjës në buxhet futen si mbështetje me TVSh si kosto lokale. Për IPA 3 mosparashikimi i kostos lokale është incetivë e parashikuar edhe në projektligjin e TVSh-së për paketën fiskale. Kjo është arsyeja pse këto fonde nuk ishin parashikuar në projektbuxhet dhe duhet të futen, pasi në momentin që kemi hartuar buxhetin nuk i kishim”, përfundoi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë