Mjedis

COP27, çfarë kanë bërë liderët botërorë për ndryshimet klimatike në 2022?

Nëntorin e kaluar, udhëheqësit globalë u takuan në samitin e OKB-së për klimën COP26 në Glasgow për të rënë dakord për hapat e ardhshëm për të trajtuar ndryshimet klimatike.

Por ekspertët e klimës i kanë thënë BBC-së se progresi në vitin 2022 ka qenë i ngadaltë, me qeveritë në mbarë botën të shpërqendruara nga krizat globale të energjisë dhe financiare.

Javën e kaluar OKB-ja paralajmëroi se bota po shkon drejt katastrofës. Por ka rreze shprese, duke përfshirë legjislacionin e ri të SHBA-së dhe një ndryshim të qeverisë në Brazil që mund të ndryshojë shkatërrimin e pyjeve tropikale të Amazonës.

Ndërsa liderët nisen për në COP27 në Egjipt, BBC ka analizuar shtatë aktorët kyç për të kuptuar se kush po e shtron rrugën dhe kush po zvarritet.

SHBA: Përsëri një lider i klimës?

SHBA bëri një hap të madh përpara këtë vit kur miratoi ligje të reja gjithëpërfshirëse për të përballuar ndryshimet klimatike.

Masat në kuadër të Aktit për Reduktimin e Inflacionit mund të reduktojnë emetimet e gazrave serrë në SHBA, ato gazra që ngrohin atmosferën, me 40% deri në vitin 2030.

"Ky është investimi më i madh në zgjidhjet klimatike në historinë e SHBA. Është një shenjë e madhe përparimi", tha Dan Lashof, drejtor amerikan në Institutin e Burimeve Botërore.

Projektligji synon ta bëjë energjinë e gjelbër si parazgjedhje në sektorë kryesorë si energjia elektrike, transporti dhe industria. Rezultati më i dukshëm për konsumatorët është një kredi tatimore prej rreth 7500 dollarë për ata që blejnë një makinë elektrike.

Por nuk janë të gjitha lajmet të mira. Pasi një Nancy Pelosi vizitoi mes polemikave Tajvanin, Kina i dha fund bashkëpunimit të saj me SHBA-në për klimën, gjë që mund të ndikojë seriozisht negociatat ndërkombëtare të klimës.

SHBA gjithashtu nuk ka dhënë pjesën e saj të parave për të mbështetur vendet në zhvillim që vuajnë më shumë nga ndryshimet klimatike, gjë që mund të dëmtojë marrëdhëniet në COP27.

Britania e Madhe, Udhëheqja dhe "përçarja"

Mbretëria e Bashkuar priti COP26, siguroi premtime të mëdha globale dhe u tregua një lider ndërkombëtar i klimës.

Por Britania e Madhe do të shkojë në COP27 "më e dobët dhe me udhëheqje zhgënjyese", thotë Alyssa Gilbert, Drejtoreshë e Politikave në Institutin Grantham të Imperial College në Londër.

Të mërkurën, kryeministri Rishi Sunak bëri një kthesë nga vendimi i tij i mëparshëm për të mos shkuar në Egjipt për shkak të prioriteteve të tjera dhe ekspertët thonë se kjo ka kompromentuar Mbretërinë e Bashkuar.

Mbretëria e Bashkuar nuk e ka rritur ambicien e saj për të trajtuar rolin e saj në ndryshimet klimatike, sipas analizës nga Climate Action Tracker të planeve të paraqitura në OKB.

Kriza globale e energjisë bëri që Britania e Madhe të tërhiqej nga angazhimet për të mbyllur stacionet me qymyr.

Robert Falkner, profesor në marrëdhëniet ndërkombëtare thotë se ndryshime të tilla janë një sinjal.

BE 'e drejtuar' nga Rusia

Bashkimi Europian është historikisht progresiv në trajtimin e ndryshimeve klimatike, por pushtimi rus i Ukrainës dhe ndikimi në furnizimet me energji në Europë e kanë minuar këtë.

"Ne vlerësojmë se emetimet europiane në fakt u rritën me rreth 2% në gjashtë muajt e parë të këtij viti", thotë Robert Falkner.

Climate Action Tracker tani i vlerëson objektivat, politikat dhe financat e BE-së për klimën si "të pamjaftueshme" dhe BE-ja nuk e ka përditësuar OKB-në me planet e reja.

Indi: Ambiciet e mëdha pengohen nga qymyri

India është një nga vendet e pakta që ka publikuar objektivat e përditësuar të klimës në vitin 2022.

“Është pothuajse e pamundur të flasësh për Indinë pa folur për përparimin”, thotë Kamya Choudhary në London School of Economics.

Ajo premton të reduktojë intensitetin e emetimeve me 45% deri në vitin 2030. Ajo gjithashtu dëshiron që 50% e energjisë së instaluar të jetë e rinovueshme.

Por plani i Indisë për të rihapur 100 miniera qymyri (qymyri është lënda djegëse fosile më ndotëse) mund të jetë një pengesë për këto ambicie.

Profesor Navroz Dubash në Qendrën për Politikat Publike dhe këshilltar i OKB-së për klimën i tha BBC-së se tarifat për qymyrin po ndihmojnë për të paguar për infrastrukturën dhe këto të ardhura janë të rëndësishme.

Brazil: President i ri, shpresë e re?

Brazili mban një nga çelësat për të luftuar ndryshimet klimatike, pylli masiv në Amazon, mushkëritë e planetit, thithin sasi të mëdha karboni.

Javën e kaluar, Presidenti Jair Bolsonaro u rrëzua nga Lula da Silva, duke ndryshuar potencialisht brenda natës të ardhmen e Amazonës.

“Brazili është gati të rimarrë udhëheqjen e tij në luftën kundër krizës klimatike”, tha Lula të dielën.

Një votim për fatin e Amazonës

Vetëm në vitin 2021 shpyllëzimi u rrit me 48%. Renata Piazzon, drejtoreshë ekzekutive në Instituto Arapyau, e shpreh këtë tek presidenti Bolsonaro që përkrah më shumë miniera në Amazon.

Që nga Glasgou, objektivat e Brazilit janë kritikuar si "më pak ambicioze" sesa premtimet e bëra në vitin 2016 dhe për dështimin në përmbushjen e premtimeve.

Historikisht, Brazili ka përdorur energjinë hidrike për të siguruar sasi të mëdha të energjisë së gjelbër por një thatësirë në vitin 2021 i thau digat e tij. Si përgjigje, ajo investoi në naftë dhe gaz.

Australi: Krijimi i terrenit të humbur

Politika ka parë një ndryshim të fytyrës edhe në Australi. I zgjedhur në maj, kryeministri i ri Anthony Albanese ka përshpejtuar planet për klimën, duke i dhënë fund një dekade kthimi prapa.

Vendi paraqiti objektiva të reja në OKB, duke premtuar të reduktojë emetimet me 43% deri në vitin 2030, një hap i madh përpara nga objektivi i tij i mëparshëm prej 26%.

Por Bill Hare, CEO i Climate Analytics, thotë se duket vetëm si përparim i rëndësishëm për shkak të asaj se sa larg ishte Australia.

"Deri më tani ka pasur pak ndryshime në politikë dhe sigurisht jo në fushën e karburanteve fosile", tha ai.

Australia ka udhëhequr rrugën në rritjen e energjisë së rinovueshme, por vendi mbetet nja nga pesë prodhuesit kryesorë të qymyrit në botë.

Dhe megjithëse Australia premtoi në COP26 për t'i dhënë fund shpyllëzimit, ajo u klasifikua në vitin 2021 si i vetmi vend i zhvilluar që është "pika e nxehtë" për humbjen e pemëve ku gati gjysma e pyjeve në Australinë lindore janë shkatërruar.

Kina: Një ndotës 'i frikshëm' që investon në burimet e rinovueshme

Kina ka një rol të ndërlikuar në veprimin global të klimës. Ndryshe nga vendet e botës së zhvilluar, ajo nuk është përgjegjëse për emetimet historike të gazeve serrë që shkencëtarët thonë se kanë shkaktuar ndryshime klimatike deri më tani.

Por tani është një "ndotës i frikshëm" për shkak të rritjes shumë të shpejtë ekonomike, shpjegon Neil Hurst, bashkëpunëtor i politikave për energjinë në Institutin Grantham. Kina djeg gjysmën e qymyrit në botë dhe heziton të shkurtojë sasi për shkak të mungesës së energjisë.

Megjithatë, Kina është gjithashtu investitorja më e madhe në energjinë e rinovueshme. Një e katërta e makinave të reja të regjistruara në Kinë janë elektrike.

"Në Kinë po bëhen përpjekje të mëdha dhe po vendosen objektiva kërkuese”, shpjegon Hurst.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë