Nga Gazeta 'SI' - Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko i sugjeroi qeverisë të fokusohet në rrezikun e programeve PPP në financat publike dhe t’i pasqyrojë ato në projektbuxhet.
Sejko në Komisionin e Ekonomisë për buxhetin 2023 kërkoi që të vendoset një tavan për vlerën e kontraktimit të PPP-ve për të kontrolluar riskun që këto programe sjellin në financa.
Kërkesë tjetër ishte integrim i procesit të kontraktimit dhe përzgjedhjes së PPP-ve me programin strategjik të investimeve, sikundër janë identifikuar në programet afatgjata të zhvillimit të vendit. Po ashtu, edhe të përmirësohet kapaciteti profesional i njësive administruese, vlerësuese, kontraktuese dhe monitoruese të këtyre projekteve, sidomos sa i takon detyrimeve ligjore dhe financiare që ato i ngarkojnë buxhetit.
BSH kërkoi dhe fuqizimin e rolit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në shqyrtimin e këtyre projekteve dhe monitorimin e vazhdueshëm të tyre.
Guvernatori u shpreh se BSH vlerëson me rrezik zgjerimin e deficitit, që mund të vijë nga rritja e ngadaltë e ekonomisë, nivelin e parashikuar të të ardhurave, pasiguritë tatimore dhe bilancet e sektorit energjetik dhe sugjerohet shtim i fondeve të kontigjencës.
Ai kërkoi që qeveria duhet të përmirësojë shpërndarjen kohore të shpenzimeve dhe jo t’i realizojë ato vetëm në tre muajt e fundit e vitit.
“Ky fenomen, i përsëritur dhe i diktuar në masën më të madhe nga ritmi jo i njëtrajtshëm i realizimit të investimeve, krijon luhatje të panevojshme në tregun e brendshëm financiar dhe redukton efektivitetin e shpenzimeve publike”, -tha Guvernatori.
BSH ka kërkuar po ashtu edhe rishikimin e projektligjit “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, ku qeveria synon të revokojë trajtimin kontabël të kredive të humbura dhe për përfshirjen e tyre në listën e shpenzimeve të zbritshme. Sipas Guvernatorit, kjo strategji ishte thelbësore për reduktimin e ndjeshëm të nivelit të kredive me probleme në sektorin bankar dhe për ruajtjen e këtyre kredive në nivele të ulëta në të ardhmen.
Mbi skemat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, duke pasur parasysh dhe trendet e pafavorshme demografike, drejtuesi i BSH-së sugjeron rishikimin periodik të skemës së pensioneve, atë të sigurimeve shëndetësore dhe skemat e tjera të sigurimeve sociale, me synim ruajtjen e qëndrueshmërisë së këtyre skemave dhe përballueshmërinë për buxhetin e shtetit.
Po ashtu, Guvernatori ripërmendi nevojën për mbështetje të shtresave të varfra nga qeveria, përballë inflacionit të lartë dhe rritjes së kostos së jetesës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.